
Komisioni i Ankesave dhe Sanksionimit në dhomë këshillimi nuk ka legjitimuar kërkesën e katër kandidatëve të PD që kërkonin rinumërim në qarkun Tiranë dhe Durrës.
Sipas KAS një kërkesë e tillë legjitimohet vetëm nëse vjen përmes subjektit politik.
Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja, ishin katër kandidatët që kërkuan rinumërim të votave.
Ndërkohë më herët sot në mbledhje pati tensione dhe debate, teksa shqyrtohej ankimimi i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës.
Anëtari i KAS, Ilir Rusmali debatoi me juristin e PD-së Marash Logu, që kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Dibër.
Logu kërkoi hapjen e kutive te KZAZ 18 në Bulqizë, pasi nga pamjet filmike kanë konstatuar parregullsi.
Logu: U tha që administrata mund t’jua verë në dispozicion. Nëse doni që të njëjtën pamje t’jua sjellim ne, patjetër.
Lako: Kjo kërkohet sepse administrata mund ta kqyrë dhe sipas syrit të tyre, mund të thonë që nuk ka asnjë problem. Meqë ju ngrini një pretendim që ka pasur shkelje, të na i paraqisni, ta shikojmë dhe të vendosim.
Logu: Pamjet për të cilat kemi pretendime, do t’jua vendosim në dispozicion.
Rusmali: Pamjet filmike nuk vihen bruto në dispozicion, se nuk i qërojmë neve. Na nis time code, në minutën kaq, sekondin kaq, është një votë… të gjitha me tabelë! Që ne ti shohim dhe t’i verifikojmë. Nuk është puna se e duam USB-në prej teje dhe nuk e duam nga adm. Ti je djalë i ri dhe gabon vazhdimisht. Por, nuk ka rëndësi kjo. Kjo është procedura e këtij institucioni dhe fodullin mos e bëj këtu.
Logu: Unë kërkoj procedurialisht që Rusmali të përjashtohet nga shqyrtimi i të gjitha kërkesave që ka bërë PD, pasi nuk siguron paanshmëri në këtë proces. Ka edhe konflikt interesi që ne do ta demonstrojmë. Këto fjalët fodullëk etj. etj. mbaji për vete. Dhe kërko falje se unë nuk të ofendova. Të ruajë etikën zotëria.
Top Channel