Andrew dhe Tristan Tate do të përballen me drejtësinë britanike, vëllezërit drejt ekstradimit

30/05/2025 09:22

Andrew dhe Tristan Tate do të ekstradohen në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me 21 akuza penale, përfshirë përdhunim dhe trafikim qeniesh njerëzore, pasi të përfundojnë procedurat gjyqësore ndaj tyre në Rumani, konfirmuan avokatët e tyre.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) në Mbretërinë e Bashkuar ka autorizuar ngritjen e akuzave ndaj vëllezërve britaniko-amerikanë, të cilat datojnë nga periudha 2012–2015, pas dorëzimit të një dosjeje hetimore nga Policia e Bedfordshire. Akuzat përfshijnë gjithashtu dëmtime trupore dhe kontroll të prostitucionit për përfitim financiar.

Gjykata rumune ka vendosur se vëllezërit mund të ekstradohen në Britani vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore në Rumani, të cilat aktualisht nuk kanë një afat të përcaktuar.

“Sapo këto procedura të përfundojnë në tërësinë e tyre, atëherë ata do të kthehen për t’u përballur me akuzat e Mbretërisë së Bashkuar.”

Andrew Tate, 38 vjeç, përballet me 10 akuza që lidhen me tre viktima të dyshuara, ndërsa vëllai i tij Tristan, 36 vjeç, përballet me 11 akuza lidhur me një viktimë. Të dy i kanë mohuar akuzat dhe i kanë cilësuar ato si “tërësisht të pavërteta”.

Avokatët e vëllezërve kanë kritikuar mënyrën si është menaxhuar çështja nga autoritetet britanike, duke pretenduar se klientët e tyre po përballen me një “gjyq nga media” dhe se nuk u është ofruar informacion i mjaftueshëm për të kuptuar akuzat ndaj tyre.

Andrew dhe Tristan Tate janë në qendër të hetimeve në Rumani që nga dhjetori 2022, kur u arrestuan për herë të parë nën dyshimet për përdhunim, trafikim dhe shfrytëzim seksual. Në gusht 2024, ata u përballën me akuza shtesë për marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe trafikim të të miturve – akuza që vazhdojnë t’i mohojnë.

Top Channel