Alarmohet Shtëpia e Bardhë! Shefes së stafit të Donald Trump i hakerojnë telefonin, gabimi që i tradhtoi “piratët”

30/05/2025 12:04

Këshilltarja kryesore e Donald Trump ka rënë viktimë e hakerave, që depërtuan në telefonin e saj dhe përdorën inteligjencën artificiale për të imituar zërin e saj.

Plani keqdashës përfshinte të dhëna të vjedhura nga telefoni personal i shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, të cilat më pas u përdorën për të telefonuar disa nga njerëzit më të fuqishëm në Amerikë.

Gjatë disa javëve, senatorë të njohur, guvernatorë dhe drejtues të bizneseve amerikane kanë marrë mesazhe zanore ose sms nga një numër i panjohur që pretendonte të ishte Wiles, raportoi Wall Street Journal.

Hakerat ranë në kurth kur bënë gabimin fatal të bënin pyetje për të cilat ndihmësja më e afërt e presidentit duhet të kishte dijeni.

Wiles – e njohur me nofkën “Zonja e Akullt” – ka kontaktuar bashkëpunëtorët e saj duke i paralajmëruar që të injorojnë çdo mesazh apo telefonatë të çuditshme nga numra të panjohur që pretendojnë se janë ajo.

Disa prej telefonatave përdornin një zë që imitonte Wiles. Autoritetet dyshojnë se imituesi ka përdorur inteligjencë artificiale për të riprodhuar zërin e saj. FBI është duke hetuar situatën e pazakontë, por burime për median kanë thënë se nuk besohet që pas kësaj të qëndrojë ndonjë shtet i huaj.

FBI e trajton çdo kërcënim ndaj presidentit, stafit të tij dhe sigurisë sonë kibernetike me seriozitetin maksimal. Sigurimi i mundësisë që zyrtarët tanë të administratës të komunikojnë në mënyrë të sigurt për të përmbushur misionin e presidentit është prioriteti ynë kryesor”, tha drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një deklaratë.

Autoritetet po hetojnë cili ishte qëllimi i kësaj skeme.

Top Channel