Panairi i karrierës në UET/ Zhvillohet prej 15 vitesh. Marrin pjesë 100 kompani nga shumë fusha

29/05/2025 15:29

Për të 15 vit radhazi, UET zhvilloi panairin e karrierës, ku morën pjesë 100 kompani që operojnë në fusha të ndryshme, duke u dhënë mundësi kështu studentëve që të lidhen me tregun e punës.

“Për ne është aktiviteti më  rëndësishëm pas mësimdhënies, që synon të integrojë studentët tanë në tregun e sotëm të punës. Thirrja ime sot është për biznesin që të krijojë një perspektivë të qendrueshme në mënyrë që edhe shoqëria të zhvillohet sëbashku me zhvillimin e interesave që ka sot sipërmarrja private”, tha Selami Xhepa, president UET.

“Karriera është një udhëtim i gjatë, nuk është thjesht gjetja e një vendi pune dhe ajo që është e rëndësishme në karrierë është pasioni, ta duam atë vend pune dhe ti shërbejmë fortë”, tha Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

“Është një aktivitet për studentët i organizuar nga fakultetet. Fokusin e kemi te bizneset sepse studentët tanë kanë shumë aftësi, janë të përshtatshëm dhe fleksibël dhe shumë dinamik për tregun”, Belina Budini Dekane, Fakulteti i Shkencave Humane dhe Arteve Liberale, UET.

Përmes stendave të vendosura në ambientet e UET, studentët e 5 fakulteteve që përbëjnë universitetin, bëjnë takime direkte me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve të ndryshme, duke krijuar mundësi për praktika dhe punësim.

UET ka një program bashkëpunimi me 500 kompani të mëdha në tregun shqiptar dhe çdo vit, 90% e studentëve arrijnë që të gjejnë një vend pune përmes këtij panairi.

Top Channel