
Një ish-i dënuar, i cili kishte vuajtur një dënim me burg për trafik droge dhe ilaçesh përmes një platforme në “rrjetin e errët”, ka dhuruar Bitcoin me vlerë 40 milionë euro për Ministrinë Çeke të Drejtësisë.
Kriptomonedhat u shitën në ankand, duke gjeneruar rreth 40 milionë euro. Këto të ardhura, sipas Ministrisë së Drejtësisë, do të përdoren për qëllime të dobishme publike, si ndihma për viktimat e krimit dhe përmirësimi i kushteve në burgje.
Ky donacion i pazakontë ka ngritur pikëpyetje të arsyeshme, përfshirë dyshimet mbi një përpjekje të mundshme për pastrim parash, raportoi gazeta Deník N. Sipas raportimeve, donatori ishte dënuar më parë me 4 vjet burg për drejtimin e një platforme të paligjshme në “rrjetin e errët”, e cila merrej me trafikimin e drogës dhe ilaçeve të ndaluara.
Ministri i Drejtësisë, Pavel Blazek, hodhi poshtë kritikat: “Pse nuk duhet të lejohet një ish-i dënuar t’i japë diçka shtetit, le të themi se është një shenjë pendimi?” – u shpreh ai.
Blazek sqaroi se nuk e njeh personalisht donatorin, por njeh avokatin e tij. Ai theksoi gjithashtu se nuk sheh ndonjë dilemë etike në këtë proces.
Top Channel