Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi/ Gjykata e Prishtinës dënon me burgim të përjetshëm dy autorët

28/05/2025 10:20

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Sipas mediave vendase, lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në periudhën ndërmjet 9 janarit dhe 8 prillit të vitit 2021.

Gjatë kësaj kohe, dy vëllezërit kishin planifikuar vrasjen e Rexhepit me synimin për të përfituar nga pasuria e tij.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu, më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj makinën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë, Janjevë.

Pastaj, i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me makinën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur makinën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë, si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Top Channel