
Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte ‘njohje e zgjedhjeve të 11 majit’, u shprehën analistët Ilir Demaliaj dhe Besian Zogaj në “Shqipëria Live”.
Sipas Demaliajt, postimi i ambasadës së SHBA-së ishte një reagim për të ulur tensionet në arenën politike shqiptare.
“I kanë bërë të gjitha analizat dhe më pas kanë reaguar. Është një reagim që do të ulë tensionet. Një mesazh diplomatik. Ajo që duhet diskutuar është çfarë do të ndodhë me opozitën në Shqipëri, sepse de facto nuk kemi opozitë. Edhe po të bëhen zgjedhje çdo 3 muaj, opozita do të shkojë poshtë e më poshtë. Berishën e kuptoj, është në lojë për të mbrojtur veten, familjen, po ata të tjerët nuk i kuptoj”.
Me këtë reagim, SHBA njeh thotë se ‘populli ka vendosur dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin”. Kështu e lexoi Zogaj mesazhin e shkurtër të SHBA-së.
“Këtu po flasim për politikat e një fuqie të madhe. Dhe fuqitë e mëdha kanë agjendën e tyre. Ata kanë parë rezultatet, kanë marrë raportet e tyre, i kanë analizuar dhe kanë dalë në një deklaratë që i njeh zgjedhjet e 11 majit. Nuk trajton as mazhorancën, as opozitën, trajton zgjedhjet. Nuk ka hapje ndaj mazhorancës dhe mbyllje ndaj opozitës. Nuk duhet të hedhim shashka. Kanë thënë që populli ka vendosur, ne i njohim zgjedhjet dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin”.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkroi ambasada një ditë më parë.
Top Channel