
Një grup tjetër emigrantësh, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Itali, kanë mbërritur në Shqipëri.
Anija “Spica” e Marinës Ushtarake Italiane u nis mëngjesin e së martës nga porti i Brindisit dhe zbarkoi në portin e Shëngjinit në mbrëmje, duke transportuar në bord 27 migrantë.
Pas mbërritjes, ata u transferuan drejt kampit të Gjadrit, ku u regjistruan sipas protokolleve të përcaktuara nga autoritetet italiane, raporton gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani.
Ky është kontingjenti i tretë i emigrantëve që mbërrijnë në territorin shqiptar, në kuadër të marrëveshjes së re të nënshkruar nga qeveria italiane. Sipas dekretit, këta emigrantë do të qëndrojnë në Gjadër deri në deportimin e tyre në vendet e origjinës, me një afat që nuk kalon 18 muaj.
Fillimisht, kampi ishte parashikuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, me një qëndrim deri në 28 ditë. Por me ndryshimet e fundit të miratuara nga qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i qendrës është zgjeruar, duke e kthyer atë edhe në një strukturë ndalimi për emigrantët që nuk përfitojnë azil.
Aktualisht në kampin e Gjadrit ndodhen ende edhe një pjesë e emigrantëve të mbërritur më 11 prill, gjithashtu nga Brindisi. Edhe ata janë në pritje të një vendimi përfundimtar nga gjykata italiane.
Top Channel