Von der Leyen dhe liderët europianë kritikojnë ashpër sulmet e fundit të Izraelit: Të futet menjëherë ndihma humanitare në Gaza

27/05/2025 16:42

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e përshkroi bombardimin izraelit të një shkolle në Gaza dhe objekteve që strehojnë civilë si të neveritshëm, gjatë një bisede telefonike me Mbretin e Jordanisë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu shqetësimin e tij për situatën në Gaza dhe theksoi se ai “nuk sheh më logjikë” në sulmet masive me raketa të Izraelit, ndërsa kryeministri finlandez, Petteri Orpo i përshkroi veprimet izraelite si “absolutisht të papranueshme” dhe bëri thirrje që më shumë ndihmë humanitare të arrijë menjëherë tek banorët e Gazës.

Presidentja e Komisionit tha se “intensifikimi i operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, duke synuar infrastrukturën civile, duke përfshirë një shkollë të përdorur si strehë për familjet e zhvendosura palestineze dhe duke shkaktuar vdekjen e civilëve, përfshirë fëmijë, është i neveritshëm”.

“Ky përshkallëzim dhe përdorim joproporcional i dhunës kundër civilëve nuk mund të justifikohet sipas ligjit humanitar dhe ndërkombëtar”, shtoi ajo, duke thënë se Bashkimi Evropian gjithmonë ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Izraeli duhet “menjëherë” të rivendosë ndihmën humanitare në Gaza, tha von der Leyen, duke i bërë thirrje gjithashtu qeverisë izraelite që të ndërpresë menjëherë përshkallëzimin e vazhdueshëm.

Bashkimi Evropian ka vendosur të rishikojë marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin në dritën e zhvillimeve të fundit në Gaza, njoftoi javën e kaluar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Në Rripin verior të Gazës, 33 palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, u vranë në shkollën Fahmi Al Jarjawi në qytetin e Gazës, dhe 19 në një sulm ndaj një shtëpie në Jabalia, sipas Agjencisë lokale të Mbrojtjes Civile. Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër “terroristët” në zonën e shkollës.

 

Top Channel