
Ajo që duhej të ishte një ditë lavdie dhe festimi për qytetin e Liverpoolit u kthye në një skenë kaosi dhe tmerri, pasi një automjet u përplas me turmën gjatë paradës së fitores së Liverpool FC në Water Street.
Pamjet dramatike të momentit fatal kanë pushtuar faqet e para të gazetave të mëdha britanike këtë të martë.
“Daily Telegraph” shkruan: “Lavdia e Liverpoolit shndërrohet në tmerr”, duke ilustruar lajmin me një fotografi tronditëse të një të plagosuri që po transportohet me urgjencë nga ekipet mjekësore.
“Daily Mail” zgjodhi titullin “Masakër në paradë”, ndërsa imazhi që e shoqëron tregon makinën duke përplasur turmën e tifozëve të zjarrtë që kishin dalë të festonin triumfin e klubit të tyre të zemrës.
“Elacion pastaj tmerr”, është përshkrimi i Daily Mirror, duke reflektuar kalimin e shpejtë nga gëzimi i papërmbajtur në frikë kolektive.
Ndërsa Daily Star dhe Daily Express shënuan titullin e përbashkët “Tmerr në paradë”, duke publikuar momentin kur policia ndërhyn dhe rrethon automjetin e përfshirë në incident.
Sipas autoriteteve lokale, disa persona kanë mbetur të plagosur, por nuk raportohet për viktima deri në këto momente. Policia e Merseyside ka nisur një hetim të gjerë për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa nuk përjashtohet ende mundësia që incidenti të ketë qenë i qëllimshëm.
Qyteti është ende në shok, ndërsa liderë politikë dhe sportivë kanë shprehur solidaritetin e tyre me të plagosurit dhe familjet e tyre.
Top Channel