
Tmerri zbriti mbi Liverpoolin gjatë paradës së fitores së Liverpool FC, ku një automjet u përplas me një turmë njerëzish në Water Street, duke shkaktuar një nga incidentet më tronditëse në historinë e fundit të qytetit.
Sipas Shërbimit të Ambulancës Veriperëndimore, 27 persona u dërguan në spitale të ndryshme të qytetit, ndërsa 20 të tjerë morën ndihmën e parë në vendngjarje. Mes të plagosurve raportohen katër fëmijë, përfshirë një që ndodhet në gjendje të rëndë.
“Nga ata që u dërguan në spital, dy kanë pësuar lëndime të rënda – një prej tyre është fëmijë”, konfirmoi zëdhënësi i ambulancës.
Skena e ngjarjes ka qenë dramatike, me Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit që raportoi për katër persona të bllokuar nën automjet. Ekipet ndërhynë menjëherë për t’i shpëtuar.
Policia e Merseyside ka nisur hetime të thelluara për të zbuluar rrethanat dhe motivet pas incidentit. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është ndaluar dhe po merret në pyetje nga autoritetet.
Pak çaste para se makina të përplasej, qendra e qytetit të Liverpulit ishte plot me më shumë se 100,000 tifozë futbolli që po shijonin suksesin e ekipit të tyre në Premier League.
Top Channel