
Me 14 mandate në Kuvendin e ri, qarku i Durrësit sjell një përfaqësim të larmishëm ku bien në sy edhe figura të reja që do të ulen për herë të parë në Parlament.
Një prej tyre është Etleva Budini, e cila siguroi mandatin e tetë të Partisë Socialiste në këtë qark.
“Zgjodha të bëj një fushatë personale, duke takuar njerëzit në rrugë, biznese, fasoneri… Kam dëgjuar shumë halle dhe shqetësime që do t’i çoj në Parlament. Do të jem e angazhuar çdo ditë.“, shprehet Etleva Budini, deputete e zgjedhur.
Ekonomiste në profesion dhe me përvojë në drejtim, Budini thotë se një shtyllë e programit të saj do të jenë vajzat dhe gratë, si dhe personat me aftësi të veçanta.
“Kam marrë vota zemre, kryesisht nga gratë dhe vajzat. Do të jem mbështetëse e tyre, por edhe zë i fuqishëm i personave me aftësi ndryshe, që të ndihen të barabartë në arsim dhe punësim”, shton Budini.
Një tjetër emër i ri në Kuvend është Artan Luku nga Partia Agrare Ambientaliste, pjesë e listës së mbyllur të koalicionit PD–ASHM. Ish-drejtues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ai premton angazhim për çështjet e mjedisit, bujqësisë dhe biznesit.
“Një nga mangësitë më të mëdha të zhvillimit të biznesit në Shqipëri është mungesa e një legjislacioni të qëndrueshëm. Fokusi im do të jetë përmirësimi i klimës së biznesit dhe mbrojtja e konkurrencës së ndershme”, shprehet Artan Luku, deputet i zgjedhur i Durrësit.
Në vëmendjen e Lukut do të jetë edhe sektori i turizmit, për të cilin do të kërkojë politika të reja zhvillimore.
“Kemi realisht zhvillim të turizmit, por duhet të llogarisim nëse ka përfitim real ekonomik. Nëse nuk bëjmë politikat e duhura, ky model nuk do t’i sjellë vendit përfitimet ekonomike që presim.“, shton Luku.
Me këto emra të rinj dhe të tjerë, Durrësi sjell në Kuvend një përzierje përvojash, që synojnë një përfaqësim më të denjë dhe ligjvënës më cilësorë dhe të angazhuar.
Top Channel