
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kreu i Partisë Socialiste, ka ironizuar opozitën pas humbjes në zgjedhjet të 11 majit.
Ai u shpreh se opozita nuk ka dashur ta pranojë realitetin, e fitores së PS-së me 83 mandate.
“Të tjerët nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve, kjo i ka bërë ata humbës kronikë, ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa një alternativë sfiduese të PS-së. Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një lufte absurde me faktet dhe jetojnë me një univers paralel, ku Shqipëria që përparon është thjesht propagande, shumica e shqiptarëve janë të blerë ndërsa ndërkombëtarët janë të shitur, vendin e drejton krimi ndërsa zhvillimin e financon droga.
Zgjedhjet i fitojnë ata, ndërsa ne i vjedhim gjithnjë e më shumë. Sa më i madh bëhet hendeku i diferencës së votave mes tyre dhe nesh aq më madhështor bëhen përmasat e universit paralel. Këto ditë universi i tyre paralel është mbushur nga thasë resh të zeza, që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura.
Zarfe votash që mësyjnë nga të katërta anët, si tufa zogjsh prej letre, lëshuar vrik nga foletë e patronazhistëve, tanimë jo vetëm në Shqipëri por në mbarë botën. E vërteta është që ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu, avazi është i njëjti. Siç e prisnim dhe siç e paralajmërova unë me precesionin e atij që e ka parë një film me dhjetëra herë”, u shpreh Rama.
Top Channel