Panik në festën e Liverpool! Makina hyri mes mijëra tifozëve, mbi 50 të plagosur. Nëntë në gjendje kritike

26/05/2025 22:16

Festa e madhe për triumfin e Liverpool-it në Premier League u kthye në skenë kaosi dhe ankthi, pasi një automjet goditi këmbësorët në qendër të qytetit gjatë paradës së fitores.

Ngjarja ndodhi pas orës 18:00 me orën lokale, teksa mijëra tifozë ishin mbledhur për të festuar me ekipin e tyre të zemrës titullin e 20-të në historinë e klubit.

Numri i të plagosurve deri në orët e vona të së hënës ishte mbi 50, ndërsa 9 prej tyre raportohet se kanë pësuar dëmtime shumë të rënda.

Sipas autoriteteve, shoferi i mjetit, një burrë 53-vjeçar, britanik nga zona e Liverpool-it, u arrestua dhe po mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të këtij sulmi.

Policia lokale e cilësoi ngjarjen fillimisht si një “aksident rrugor”, por theksoi se “asnjë pistë nuk përjashtohet për momentin”.

Disa dëshmitarë, të cituar nga mediat lokale, shprehën shqetësimin se mund të ketë qenë një akt i qëllimshëm. Ata raportuan se boria e automjetit dëgjohej pa pushim, teksa lëvizte përmes turmës. Disa dëshmitarë kanë thënë se shoferi kishte humbur ndjenjat pas përplasjes.

“Skenat në Liverpool janë të tmerrshme. Mendimet e mia janë për të gjithë ata që u plagosën”, u shpreh kryeministri.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta