“Ky s’është një mandat i radhës, por amanet që vjen nga shumë larg”, Rama: Ta ngjisim Shqipërinë në majën ku qëndron BE

26/05/2025 20:29

Kryeministri Edi Rama e cilësoi amanet nga shumë larg mandatin e katërt, dërgimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se do të jetë PS që do ta ngjisë Shqipërinë 2030 në majën ku qëndron shtëpia e Bashkimit Europian.

“Ky është një amanet që vjen nga shumë larg dhe që ne e patëm fatin të ndodhemi në kohën dhe vendin e duhur, dhe kemi privilegjin të na jepet mundësia ta çojmë në vend, duke i kthyer katër vitet që vijnë në provën më të madhe të karakterit dhe të atdhedashurisë për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën ku qëndron shtëpia e Bashkimit Europian”, theksoi kryeministri.

Rama: Janë 83 gurë në kuriz. Dy ditë mos gabohem, pas 11 majit, të martën erdhi një gazetar i huaj te selia e Partisë Socialiste, dhe po më shikonte si me çudi, “nuk dukesh – tha, – i lumtur sikur ke fituar”. Shyqyr i thashë. Faleminderit që ma the se më lehtësove, se po të dukesha i lumtur, sot që ndeshja ka mbaruar, nuk do kisha kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur dhe nga domethënia e mandatit të katërt me një mbështetje kaq masive.

Ky nuk është një mandat i radhës. Ky është një amanet që vjen nga shumë larg dhe që ne e patëm fatin të ndodhemi në kohën dhe vendin e duhur, dhe kemi privilegjin të na jepet mundësia ta çojmë në vend, duke i kthyer katër vitet që vijnë në provën më të madhe të karakterit dhe të atdhedashurisë për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën ku qëndron shtëpia e Bashkimit Europian. Dhe të gjithë ne këtu, jemi të parët që duhet t’ia nxjerrim deri në fund të gjithë kuptimin e kësaj prove zjarri dhe duhet t’ia caktojmë në radhë të parë vetes si individë pastaj si skuadër, peshat që duhet të mbajmë medoemos në radhë të parë atë të karakterit dhe të atdhedashurisë, për ta udhëhequr me forcën e shembullit të gjithë armatën e madhe të kësaj beteje për historinë, duke e bërë punën tonë me krenari kombëtare, me dinjitet qytetar, me urtësi politike dhe me përkushtim profesional dhe të gjitha këto, duke i mishëruar me një ndjenjë kuptimplotë solidariteti mes nesh.

Dua t’u them vëllazërisht të gjithë atyre, që në shtator nuk do rikthehen në parlament, që unë ua u mirëkuptoj plotësisht mërzinë për humbjen e garës individuale. Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur. Edhe kur luan me fëmijët me top ke një moment mërzie, nëse kupton që s’je më ai i pari dhe ata nuk janë më aq të vegjël, prandaj u munde, por ju siguroj që nëse do ta shohin ‘’humbjen e vendit të punës’’ si një mundësi të re për një eksperiencë të re personale dhe profesionale në një vend tjetër pune, po në shërbim të të njëjtave qëllime të përbashkëta, si fitues të mandatit historik të 11 majit, atëherë, jo vetëm që do vazhdojnë të jenë shumë të dobishëm për këtë familje dhe për Shqipërinë, por do ta pasurojnë karrierën e tyre politike e profesionale, dhe nëse do të dëshirojnë të rikthehen në kuvend do mund të garojnë përsëri në të ardhmen.

Natyrisht që, nuk është ky vendi për të shtruar dhe për shtjelluar gjithë problematikën e gjerë që ka mandati i katërt, por përpara se ta mbyll këtë fjalë, që është një fjalë përgëzimi, por dhe angazhimi të përbashkët, dua të prek nevojën emergjente që kemi për të ndërtuar në këta muaj tranzicioni mes dy mandateve një bazë nisjeje të posaçme, që rruga drejt finishit të Shqipërisë 2030, të nisë me hapat e duhur dhe dhe me shpejtësinë e duhur dhe njëkohësisht të karakterizohet nga një qasje vet korrigjuese ne çdo drejtim e në çdo hap. Për këtë na duhet një volum pune përgatitore i konsiderueshëm deri në shtator, besoj biem dakord dhe po prek shumë përciptazi disa pika që ju ftoj ti pasuroni ditët që vijnë me propozime të tjera.

Top Channel