Si janë infektuar fëmijët? ISHP po bën analizat e ushqimeve të përdorura dhe higjienës në kopshtin publik

26/05/2025 10:46

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se fëmijët e kopshtit publik nr 1 në qytetin e Gramshit janë infektuar me Salmonella Enteretidis.

Nga analizat e kryera në laboratorin e ISHP kanë rezultuar 17 fëmijë pozitivë, pra të infektuar më këtë lloj të bakteri të Salmonellës. Janë depistuar 79 përsosna, përveç fëmijëve të kopshtit edhe kontakte të tyre nga të cilët 53 kanë rezultuar negativ e të tjerë bartës të këtij bakteri por pa shfaqur simptoma.

Bakteri i Salmonella Enteretidis  shkakton infeksion të zorrëve tek njeriu, të vjella ,temperaturë e dobësi trupore  sikundër ka ndodhur edhe me  fëmijët e kopshtit në Gramsh të cilët janë paraqitur me spital.

Rasti i parë ka qenë një fëmijë i vogël që është paraqitur në spital në datën 21 maj. E më pas kanë vijuar të shkojnë edhe fëmijë të tjerë. Dyshohet se fëmijët janë infektuar me sallmonella nga ushqimi që kanë konsumuar në kopsht. Simptomat shfaqen 6 deri në 72 orë pas ushqimit të kontaminuar. Ky bakter merret nga konsumi i vezëve apo mishit të pulës të papërpunuara mirë  dhe përhapet lehtësisht nga mos mbajtja e higjienës sipas rregullave të duhura nëpërmjet kontaktit të  mjeteve të kontaminuara apo duarve të ndotura.

Burime nga ISHP thonë se në raste të rënda Salmonella Enteretidis sidomos tek foshnjat, të moshuarit apo personat me imunitet të dobët  mund të përhapet në gjak  duke shkaktuar komplikacione serioze. Që prej fundjavës kjo situatë ka alarmuar institucionet si Institutin e Shëndetit Publik, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit ,Inspektoratin shëndetësor të cilat kanë nisur ekipet e tyre në Gramsh.

Përveç analizave në ISHP ku u konfirmua Salmonella në laboratorin e ISuv kanë mbërritur kampione të ushqimeve që kanë konsumuara fëmijët  për të gjetur se cili ka qenë shkaku i saktë i këtij kontaminimi. Burime të Top Channel nga ISUV thanë se do të duhet 5 ditë për rezultatin e këtyre analizave. Në funksion të hetimit, Policia e Elbasanit ka sekuestruar kartelat mjekësore të fëmijëve të shtruar, dokumentacionin mbi furnizimet ushqimore të kopshtit dhe i ka depozituar në prokurori.

Nën lupën e hetuesve është tani zinxhiri i furnizimit, mënyra e ruajtjes së ushqimeve dhe higjiena në kuzhinën e institucionit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta