Arsimi profesional, rritet interesi në Korçë, konsiderohet si një mundësi që të garanton punën

26/05/2025 12:21

Arsimi profesional po shihet gjithnjë e më shumë si një përgjigje reale ndaj nevojave dhe kërkesave të tregut të punës në vendin tonë.

Në Shkollën Teknike Profesionale të Korçës, nxënësit zhvillojnë aftësitë e tyre praktike përmes projekteve që lidhen drejtpërdrejt me profesionet që ndjekin. Një grup nxënësish ka ndërtuar një mjet të vogël me motor funksional, ndërsa të tjerë kanë realizuar një shtëpi model me sensorë dhe instalime elektrike të krijuara nga vetë ata.  Një tjetër projekt i veçantë është modeli i një mbikalimi, punuar nga nxënësit e tri drejtimeve: ndërtim, elektrike dhe termohidraulike.

Drejtoresha e shkollës, Anxhela Taho, thekson rëndësinë e “Ditëve të Hapura”, një traditë që i afron nxënësit e shkollave 9-vjeçare me arsimin profesional dhe krijon mundësinë e njohjes së drejtpërdrejtë të tyre me drejtimet që ofron ky lloj arsimi

Shkolla Teknike e Korçës po bëhet gjithnjë e më shumë një model suksesi për të rinjtë që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme të sigurt në tregun e punës.

 

Top Channel