
Ndërsa Thethi gumëzhin nga zërat e turistëve dhe rrugët mbushen me makina të huaja e çanta shpine, një tjetër sezon turistik ka nisur në një nga destinacionet më të dashura të veriut.
Por krahas bukurisë që mbetet mahnitëse, problemet janë po ato të vjetrat. Mungesa e energjisë elektrike është ende “banorja” më e bezdisshme e Thethit.
“Rezervime ka dhe kërkesat janë mirë. Është gjynah të ankohemi për vizitoret. Thonë një shprehje e popullit qe nuk ti bën Zoti dy të mira bashke. Ne kemi klientelën, kemi kërkesat por s’kemi dritat, kemi shume halle te tjera për t’ju përshtatur atyre. Kot po i biem njerëzit dhe po zhgënjehen. Frika është që pastaj të kthehet ne bumerang e gjitha kjo”, shprehet Paulin Polia, operator turistik.
Për vizitoret, Thethi ofron gjithçka nga peizazhet përrallore deri te qetësia që të largon nga zhurma e qytetit.
“Shumë mirë. E dashuroj këtë vend. Jemi këtu prej 3 ditësh. Dje kryem ngjitjen nga Valbona deri ne Theth dhe ia vlejti. Është shumë i famshëm si shteg prandaj donim ta provonim. U kënaqem nga natyra”, shprehet një turist.
“Besoj se gjithçka është ashtu siç duhet. Ashtu siç e ka krijuar natyra. Është një vend fantastik nëse keni pasion për ngjitjen ne mal dhe e doni natyrën. Ishim ne restorant mbrëmë kur gjate darkës, na ikën dritat. E çuditshme por nuk ishte problem i madh. Një aventure e këndshme.”, thotë një tjetër vizitor.
“Unë vij nga Belgjika, Ka 25 vite qe rri andej. Është hera e pare ne Theth dhe është shume bukur këtu por mendoj që është lënë pas pak dore. Duhet që të ketë infrastrukturë më të mirë. Për shembull problem ishte që mbrëmë kane ikur 20 here dritat por edhe gjera te tjera te vogla. Duhet ndihma e shtetit sepse njerëzit këtu e kanë të vështirë të bëjnë investime te tilla”, shprehet emigranti nga Belgjika.
Përballë rritjes së pandalshme të fluksit turistik, është koha që vëmendja të mos përqendrohet vetëm te numrat, por edhe te pasojat. Ndërtimet pa kriter dhe menaxhimi i ujërave të zeza janë kërcënime reale që, nëse nuk adresohen sot, rrezikojnë të dëmtojnë thesarin natyror për të cilin turistët vizitojnë Thethin.
Top Channel