
Nën masa të larta sigurie dhe me dyer të mbyllura, u zhvillua në Gjykatën e Durrësit seanca për 7 të arrestuarit në operacionin e bujshëm në Gjirin e Lalzit, tre ditë më parë.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjyqtari Sokol Mara caktoi masën “arrest me burg” për 6 prej tyre dhe “detyrim paraqitjeje” për një tjetër.
Arrest në burg u dha për Xhevdet Kis Plakun, i njohur me nofkën “Akili”, dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për arratisjen nga burgu i Ankonës në Itali.
Në paraburgim do të qëndrojnë gjithashtu Flobenc Meçja, i njohur si Gega, i kërkuar nga SPAK, Voltan Xhani, i dyshuar për një krim të ndodhur në Shkodër, si edhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja dhe Oltion Hasanaj.
Plaku, Meçja dhe V. Xhani u kapën me armë në momentin e arrestimit, duke rënduar më tej pozitën e tyre ligjore. Në listën e akuzave janë shtuar mbajtja pa leje e armëve dhe moskallëzimi i krimit. Me armë u kap edhe stomatologu Jugert Xhani, ndërsa 3 të tjerët akuzohen vetëm për moskallëzim.
Ndryshe nga të tjerët, Alfred Hasanaj, banues në SHBA dhe me shtetësi shqiptare dhe britanike, do të hetohet në gjendje të lirë. Për të, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim dalje nga shteti”.
Shtatë të arrestuarit u ndaluan nga policia teksa po drekonin në një restorant në zonën turistike të Gjirit të Lalzit. Tre prej tyre konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe kanë dosje aktive për veprimtari kriminale në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet janë në vijim.
Top Channel