Administrata Trump lehtëson sanksionet për Sirinë, hap rrugë për rindërtimin pas 13 vitesh lufte civile

24/05/2025 08:00

Administrata e Presidentit Donald Trump bëri një hap të paprecedentë të premten duke dhënë përjashtime të gjera nga sanksionet për Sirinë, në një përpjekje për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga 13 vjet luftë civile.

Ky veprim shënon fillimin e një procesi që synon heqjen e një gjysmë shekulli sanksionesh që kanë penguar rindërtimin dhe stabilizimin e Sirisë.

Sipas Departamentit të Shtetit, përjashtimet përfshijnë pezullimin për gjashtë muaj të një serie sanksionesh të ashpra, ndërsa Departamenti i Thesarit ndaloi zbatimin e sanksioneve kundër bizneseve dhe individëve që bashkëpunojnë me entitete siriane, përfshirë bankën qendrore të vendit

Siria tani drejtohet nga qeveria e përkohshme e Ahmad al-Sharaa, një ish-komandant i milicisë që luajti rol kyç në rrëzimin e ish-udhëheqësit Bashar Assad në fund të vitit të kaluar.

Presidenti Trump theksoi javën e kaluar se SHBA do t’i japë një mundësi qeverisë së re për të siguruar mbështetje ekonomike dhe investime, duke i hapur rrugën kthimit të bizneseve dhe investitorëve në Siri. “Kjo është mundësia për një fillim të ri”, tha zyrtarë të administratës.

Avokati siriano-amerikan Mouaz Moustafa, i cili ka bërë fushatë për ndihmë të gjerë, përshkroi masën si shpresë për një Siri demokratike në të ardhmen. “E vetmja alternativë ishte që Siria të bëhej një shtet i dështuar dhe të përfshihej në një konflikt të përgjakshëm civil”, tha ai.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto përjashtime mund të jenë të përkohshme, pasi sanksionet e ashpra, të vendosura në vitin 2019 përmes Aktit të Mbrojtjes Civile të Sirisë së Cezarit, mund të rikthehen pas gjashtë muajsh, duke ndikuar në gatishmërinë e investitorëve për projekte afatgjata rindërtimi.

Administrata amerikane theksoi se masat e së premtes janë vetëm një pjesë e strategjisë së gjerë për të hequr sanksionet, të cilat synojnë të penalizojnë familjen Assad për mbështetjen e milicive të mbështetura nga Irani, përdorimin e armëve kimike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta