Trump shpall partneritetin e US Steel me gjigantin japonez Nippon: 70 mijë vende pune dhe 14 miliardë dollarë investime

23/05/2025 22:17

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar një marrëveshje të rëndësishme midis kompanisë amerikane US Steel dhe prodhuesit japonez të çelikut, Nippon Steel, që sipas tij do të krijojë dhjetëra mijëra vende pune dhe do të injektojë miliarda dollarë në ekonominë amerikane.

Përmes një postimi në platformën TruthSocial, Trump deklaroi se partneriteti do të ketë selinë qendrore në Pittsburgh dhe do të sjellë një investim prej 14 miliardë dollarësh, me pjesën më të madhe të fondeve që do të realizohen brenda 14 muajve të ardhshëm.

“Ky është një partneritet i planifikuar midis United States Steel dhe Nippon Steel, që do të krijojë të paktën 70,000 vende pune. Do të jetë një ringjallje e fuqishme e industrisë sonë të çelikut”, u shpreh Trump.

Republikani gjithashtu njoftoi se do të vizitojë uzinën e çelikut javën e ardhshme për një “tubim të madh”, siç e përshkroi vetë.

Marrëveshja ishte ndaluar më parë nga ish-presidenti Joe Biden gjatë ditëve të fundit të mandatit të tij. Ajo ka qenë objekt debatesh të ashpra që nga dhjetori i vitit 2023, me shqetësime mbi kontrollin e huaj në një sektor kritik të ekonomisë amerikane.

Megjithatë, administrata Trump ka sinjalizuar hapjen ndaj miratimit të marrëveshjes. Në mars, Shtëpia e Bardhë paraqiti një kërkesë për zgjatjen e dy afateve ligjore në një padi që US Steel dhe Nippon kishin ngritur kundër Komitetit për Investimet e Huaja në SHBA – një organ që shqyrton investimet për rreziqe të mundshme të sigurisë kombëtare.

US Steel, dikur simbol i fuqisë industriale amerikane dhe kompania e parë në botë që arriti vlerën prej 1 miliard dollarësh në vitin 1901, duket se po kërkon një rikthim historik në skenën globale përmes këtij bashkëpunimi strategjik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta