Gjykata i jep të drejtë Harvard! Pezullon vendimin e administratës Trump për ndalimin e regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë

23/05/2025 18:51

Një gjykatë federale në SHBA ka pezulluar përkohësisht vendimin e administratës Trump për t’i ndaluar Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë.

Vendimi erdhi disa orë pasi institucioni prestigjioz paraqiti një padi kundër këtij veprimi, duke e cilësuar atë si një “hakmarrje politike”.

Gjykatësja e Qarkut, Allison Burroughs, e emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, vendosi që Harvard do të pësonte dëme “të menjëhershme dhe të pariparueshme” nëse masa e qeverisë do të hynte në fuqi pa një shqyrtim të plotë ligjor. Sipas gjykatëses, revokimi i certifikimit për programin e studentëve ndërkombëtarë shkel ligjin dhe të drejtat kushtetuese të universitetit.

Në padinë e dorëzuar, Harvard akuzon administratën se po ndëshkon universitetin për qëndrimin e tij të pavarur dhe refuzimin për të zbatuar kërkesat ideologjike të qeverisë. Këto përfshijnë dorëzimin e të dhënave disiplinore të studentëve dhe ndërprerjen e iniciativave për barazi dhe përfshirje.

“Ky është një veprim hakmarrës ndaj të drejtës së Harvardit për të mbrojtur pavarësinë akademike dhe lirinë e shprehjes,” thuhet në dokumentet e paraqitura në gjykatë.

Konferenca e parë mbi këtë çështje do të zhvillohet të martën në mënyrë virtuale, ndërsa të enjten pritet që gjykata të dëgjojë argumentet për lëshimin e një urdhri paraprak, i cili do të bllokonte përfundimisht vendimin e administratës derisa të merret një vendim zyrtar.

Revokimi nga ana e administratës Trump e të drejtës së Harvardit për të pranuar studentë të huaj do të kishte pasoja serioze, duke detyruar qindra studentë ndërkombëtarë të largohen nga SHBA ose të humbasin statusin e tyre ligjor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta