
Një numër rekord amerikanësh kanë aplikuar për të marrë shtetësinë britanike në fillim të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.
Në bazë të statistikave, në periudhën janar-mars 2025, janë regjistruar 1,931 aplikime nga amerikanët – shifra më e lartë që prej vitit 2004.
Kjo rritje prej 12% krahasuar me tremujorin e mëparshëm përkon me fillimin e mandatit të dytë të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa ekspertët sugjerojnë se klimës politike i është shtuar edhe një ndjenjë e shtuar pasigurie dhe dëshira për stabilitet, shkruan CNN.
Një tjetër tregues interesant është edhe numri në rritje i amerikanëve që kërkojnë të vendosen përfundimisht në Britani. Vetëm gjatë vitit 2024, më shumë se 5,500 qytetarëve amerikanë iu dha statusi i vendosjes së përhershme në Mbretërinë e Bashkuar, një rritje prej 20% në krahasim me vitin pararendës.
Fenomeni nuk është i ri, shton CNN. Gjatë mandatit të parë të Trump dhe në kulmin e pandemisë së Covid-19, u vu re një rritje e ndjeshme e amerikanëve që hoqën dorë nga shtetësia amerikane. Sipas të dhënave nga Bambridge Accountants, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020, më shumë se 5,800 amerikanë hoqën dorë nga shtetësia – gati trefishi i numrit të regjistruar gjatë gjithë vitit 2019.
Ekspertët theksojnë se arsyet kryesore për këtë fenomen përfshijnë pakënaqësinë me situatën politike dhe mënyrën e trajtimit të krizave si pandemia, por edhe barrën e lartë tatimore që i ndjek amerikanët edhe jashtë kufijve të vendit.
Megjithatë, rruga drejt qytetarisë europiane po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar masa të reja për të forcuar kriteret për marrjen e nënshtetësisë, duke shtuar kohën e pritjes për aplikantët.
Ndërkohë, edhe Italia ka ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke hequr mundësinë për të marrë shtetësi përmes gjyshërve apo stërgjyshërve, ndërsa ka ashpërsuar ndjeshëm rregullat e hyrjes për qytetarët jashtë Bashkimit Evropian.
Top Channel