
Shqipëria mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar prestigjioz, për herë të parë në kompeticionin “International Gypsum Trophy”, ku ishte ndër fituesit kryesorë mes 85 projekteve nga 29 shtete të ndryshme të botës.
Downtown One Albania, një nga projektet më vizionare në rajon të Kastrati Group, është vlerësuar me çmimin e parë në kategorinë ‘Rezidenciale’ gjatë edicionit të 14 të Trofeut global të gipsit “Saint-Gobain”, grupi francez i cili këtë vit feston 360 vjetorin.
“Ishte një përvojë sfiduese, vërtet unike dhe një arritje e madhe për ne si Kastrati Group dhe për Shqipërinë në tërësi”, Drivalb Ponde, përfaqësues i Kastrati Group.
“Jemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij projekti inovativ, që kemi kontribuar në realizimin e tij dhe që përfaqësojmë vendin tonë të vogël në një garë kaq të rëndësishme. Ka qenë një nder të jemi pjesë e këtij rrugëtimi”, Erisa Latifi, përfaqësuese Saint Gobain.
Një juri ndërkombëtare e përbërë nga ekspertë të ndërtimit, arkitekturës dhe dizajnit, analizoi çdo aspekt teknik dhe estetik të projekteve pjesëmarrëse dhe vlerësoi ndërtesën më të lartë në Tiranë “Downtown One” për cilësinë, kreativitetin dhe profesionalizmin e ndërtimit. Kastrati Construction u përgëzua për inovacionin në dizajn dhe teknologji, cilësinë në zbatim si edhe standardet e larta të qëndrueshmërisë në realizimin e Downtown One në bashkëpunim me kompaninë Saint Gobain, në përmbushje të qëllimit të konkursit për “të shndërruar botën në një shtëpi më të mirë”.
Downtown One u vlerësua unik, pasi është projekti i parë rezidencial në Shqipëri ku të gjitha ndarjet dhe strukturat e brendshme janë ndërtuar me sisteme moderne gipsi, duke u larguar nga teknikat tradicionale me tulla dhe llaç. Gjithashtu është objekti i parë në vend me certifikim LEED, që garanton standarde të larta për qëndrueshmëri dhe eficiencë energjetike.
“Për ne ishte si një ëndërr, arritja e një vizioni. Kemi rrëzuar barriera sepse nuk punuam thjesht për një projekt rezidencial të zakonshëm. Duhej të tregonim më shumë se vetëm bukurinë… duhej të arrinimin përsosmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë, sidomos në përdorimin e gipsit. Dhe ja dolëm!”, Erens Mema, përfaqësues i Saint Gobain.
Ky është një sukses historik, jo vetëm për projektin në vetvete, por edhe për Shqipërinë, e cila për herë të parë mori pjesë në këtë garë ndërkombëtare, përkrah projekteve nga SHBA, Azia, Europa dhe Afrika.
Top Channel