
Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme gjatë ditës së enjte.
Orët e para të mëngjesit do të karakterizohen nga vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa nga paraditja dhe sidomos gjatë mesditës do të ketë përmirësim të kushteve me periudha kthjellimesh dhe alternime vranësirash kalimtare.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit dhe do të zgjasin deri në mesditë në një pjesë të mirë të territorit, kryesisht me intensitet të ulët. Megjithatë, në zonën veriperëndimore dhe përgjatë ultësirës perëndimore, reshjet do të marrin formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Pasditja sjell një përmirësim të dukshëm të kushteve atmosferike, ku reshjet do të tërhiqen nga shumica e territorit, duke mbetur vetëm reshje të izoluara dhe të dobëta në zonat malore. Më vonë gjatë pasdites, moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.
Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndim – juglindje me shpejtësi mesatare deri në 8 m/s. Në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare, era do të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s.
Deti pritet të jetë me valëzim të moderuar, nga 2 deri në 4 ballë.
Top Channel