Dështimi i radhës për zgjedhjen e kreut të ri të Parlamentit të Kosovës, ka ngjallur frikën e pasojave ekonomike, thotë Reuters, në një kohë kur ky vend, njëri ndër më të varfrit e Europës, është mbërthyer prej muajsh nga një ngërc politik.

Ligjvënësit janë mbledhur çdo 48 orë që nga mesi i prillit për të zgjedhur një kryeparlamentar të ri, një hap i nevojshëm ky përpara se kryeministri Albin Kurti, i cili nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e 9 shkurtit, të mund të përpiqet të formojë një qeveri koalicioni, vazhdon agjencia prestigjoze e lajmeve.

Situata e krijuar, sipas saj, po pengon jo vetëm krijimin e ekzekutivit të ri, por mund t`i kushtojë Kosovës edhe qindra miliona euro fonde nga BE-ja dhe Banka Botërore, në një kohë kur ekonomia është në pasiguri të thellë.

“Po insistohet me kandidaturën e Albulena Haxhiut, edhe pse ajo ka marrë vetëm 54 nga 61 votat e nevojshme”, vëren  Reuters, që citon më tej ekspertë të cilët paralajmërojnë se dështimi për të zgjedhur kryetarin mund të reflektohet tek fonde të rëndësishme të huaja për sektorë si shëndetësia, arsimi dhe energjia e gjelbër.

Kështu Lulzim Rafuna, kreu i Dhomës Ekonomike atje ka pohuar se  “ka projekte dhe kredi me vlerë 700-800 milionë euro që janë pezull për shkak të krizës”, duke shtuar se “bizneset janë në pasiguri për reformat, politikat fiskale dhe taksat”. Reuters përmend edhe komentin e zëvendëskryeministrit në largim, Besnik Bislimi, i cili insiston se fondet nuk do të humbasin dhe se kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin për të votuar financimet.

Reuters komenton edhe deklaratat e Kurtit që thoshte se “opozita nuk beson që unë i kam 61 vota për t’u bërë kryeministër, dhe unë po ju them: më testoni”, duke vënë në pah se kryeministri në detyrë nuk e ka sqaruar se “si pret të sigurojë votat për të formuar qeverinë, kur nuk po arrin t’i sigurojë ato as për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta