
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është përplasur me homologun e tij, afrikano-jugor, Cyril Ramaphosa (Sirill Ramafoza), të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, rreth disa çështjeve të diskutueshme prej të cilave burojnë mosmarrëveshjet mes vendeve, përfshirë pretendimet e Trumpit për “gjenocid ndaj të bardhëve” në Afrikën e Jugut.
Ramaphosa i ka kundërshtuar pretendimet se të bardhët janë të shënjestruar në mënyrë joproporcionale. Sipas tij, normat e vrasjeve në vend janë të larta, porse shumica dërrmuese e viktimave janë me ngjyrë.
Pas një bisede miqësore, gjatë së cilës Trumpi thuri elozhe për lojtarët afriknaojugorë të golfit, papritur filloi të luhej një video që sipas presidentit amerikan, paraqiste prova të gjenocidit kundër fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut.
Ramaphosa ka qëndruar i heshtur për aq kohë sa zgjati videoja. Presidenti amerikan ka pretenduar se përmes këtij materiali shfaqen varrezat e mijëra fermerëve të bardhë. Në kundërpërgjigje të kësaj, Ramaphosa ka thënë se ai kurrë nuk kishte parë një gjë të tillë, dhe se dëshironte të dinte se ku ndodhej ai vend.
Më pas, presidenti amerikan i shfaqi disa kopje të printuara nga artikuj që tregojnë sipas tij, trupat e pajetë të fermerëve të bardhë, duke përsëritur frazat “vdekje, vdekje”, ndërsa i shfletonte.
Në muajt e fundit, Trump ka kritikuar ligjin e reformës së tokës të Afrikës së Jugut që synon korrigjimin e padrejtësive të aparteidit dhe çështjen gjyqësore të gjenocidit kundër Izraelit.
Ai ka anuluar ndihmën, ka dëbuar ambasadorin e Afrikës së Jugut dhe ka ofruar strehim për afrikanët e pakicës së bardhë, bazuar në pretendimet e diskriminimit racor.
Administrata e Trumpit gjithashtu e ka akuzuar Afrikën e Jugut për sekuestrimin e tokës nga fermerët e bardhë dhe për nxitjen e dhunës kundër pronarëve të bardhë, akuzë të cilën e përsëriti sot në Zyrën Ovale.
Top Channel