Të mërkurën, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, të cilat do të sjellin ndryshime të shpeshta të motit gjatë ditës. Parashikohet që moti të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me kthjellime të herëpashershme në disa zona.

Gjatë orëve të paradites dhe deri në pasdite vonë, reshjet e shiut do të jenë të pranishme në një pjesë të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të ulët. Megjithatë, në veri dhe në zonën qendrore, reshjet pritet të jenë me intensitet deri mesatar.

Në mbrëmje, veçanërisht në zonën veriperëndimore, pritet që reshjet të intensifikohen përkohësisht, duke rënë në formën e shtrëngatave të forta, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht me breshër.

Era do të fryjë nga drejtimi jugperëndim – juglindje, me shpejtësi mesatare deri në 10 m/s. Në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti do të jetë i trazuar, me valëzim të forcës 3 deri në 4 ballë.

Këshillohet kujdes në zonat ku priten reshje intensive dhe era e fortë, sidomos për drejtuesit e mjeteve dhe banorët pranë lumenjve apo zonave të rrezikuara nga përmbytjet.

Top Channel