
Të paktën 50 burra venezuelianë, të deportuar gjatë administratës Trump në burgun e sigurisë së lartë CECOT në El Salvador, kishin hyrë në mënyrë ligjore në Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të ri nga Instituti Cato.
Raporti, i publikuar të hënën nga organizata libertariane, hedh poshtë pretendimin e administratës Trump se vetëm migrantët pa dokumente u deportuan drejt burgut famëkeq në Amerikën Qendrore. Sipas të dhënave të analizuar nga Cato, nga 90 raste ku ishte e njohur mënyra e hyrjes në SHBA, 50 burra kishin marrë leje paraprake nga autoritetet amerikane dhe kishin kaluar përmes pikave zyrtare kufitare.
Deportime të dyshimta dhe akuza për torturë
Deportimi i më shumë se 200 burrave venezuelianë në mars, shumë prej të cilëve të dyshuar si anëtarë bandash, është bërë nëpërmjet Aktit të Armiqve të Huaj, një ligj i vitit 1798 që zakonisht përdoret vetëm në kohë lufte. Por raporti i Cato-s thekson se në dhjetëra raste, nuk ka asnjë provë të përfshirjes kriminale, dhe shumë prej burrave ishin refugjatë, mbajtës vizash apo të pajisur me leje pune të dhënë nga administrata Biden.
Organizatat për të drejtat e njeriut dhe avokatët e emigrantëve kanë akuzuar autoritetet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke pohuar se migrantët në Cecot po përjetojnë torturë fizike dhe emocionale.
Tatuazhet – “prova” për deportim
Në shumë raste, akuzat ndaj burrave venezuelianë janë ngritur mbi tatuazhe që nuk kanë lidhje me aktivitet kriminal. Raporti përmend rastin e Andry José Hernández Romero, një artist grimi, i cili kishte tatuazhe me kurora që përfaqësonin festimet e Ditës së Tre Mbretërve në vendlindjen e tij në Venezuelë.
“Shifrat absolute janë shqetësuese,” thuhet në raport. “Dhjetëra emigrantë të ligjshëm u hoqën nga statusi i tyre dhe u burgosën në kushte çnjerëzore.”
Heqja e mbrojtjes për 350,000 venezuelianë
Raporti del në një moment të ndjeshëm për çështjet e imigracionit në SHBA. Të hënën, Gjykata Supreme miratoi vazhdimin e përpjekjeve për revokimin e Statusit të Përkohshëm të Mbrojtur (TPS) për venezuelianët. Heqja e këtij statusi mund të çojë në deportimin e rreth 350,000 njerëzve, të cilët aktualisht nuk mund të kthehen në vendlindje për shkak të krizës humanitare.
Raporti i Cato-s sjell në vëmendje urgjencën për rishikimin e kritereve të deportimit, duke theksuar se ligjshmëria dhe statusi humanitar i migrantëve nuk janë marrë parasysh në vendimet drastike të administratës Trump.
Top Channel