Procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të ardhura nga jashtë vendit për kandidatët në listat e hapura ka përfunduar për 11 qarqe të vendit, ndërsa vijon ende në qarkun Elbasan.

Zgjedhësit e diasporës shqiptare kanë ushtruar për herë të parë të drejtën e votës përmes një procesi të strukturuar dhe të monitoruar, duke dhënë votën e tyre për kandidatë specifikë në kuadër të votimit preferencial.

Sipas të dhënave zyrtare, numërimi është finalizuar për qarqet: Kukës, Shkodër, Dibër, Durrës, Fier, Tiranë, Berat, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të preferencës vazhdon në qarkun Elbasan, ku ende po vlerësohen rezultatet.

Ndërkohë, KQZ ka urdhëruar gjithashtu numërimin fillestar të votave të panumëruara për dy qendra votimi:

QV nr. 1352/01, KZAZ nr. 21, qarku Durrës

QV nr. 2777/00, KZAZ nr. 54, qarku Elbasan

Ky proces do të zhvillohet më 20 maj 2025, në orën 12:00, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultatet nga këto qendra do të përfshihen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit përkatës të zonës zgjedhore.

Ky votim shënon një hap të rëndësishëm në përfshirjen e diasporës në procesin demokratik të vendit, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve në listat zgjedhore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta