
Dy ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të hiqte rrethimin e Gazës, Kombet e Bashkuara njoftojnë se situata në terren nuk ka ndryshuar.
Ushqimi dhe ndihmat humanitare vazhdojnë të mos arrijnë tek popullsia palestineze, e cila po përballet me uri ekstreme.
Zëdhënësi i Zyrës Humanitare të OKB-së, Jens Laerke, tha se vetëm pesë kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza, dhe as ato nuk janë shpërndarë ende për shkak të mungesës së lejeve nga autoritetet izraelite.
Sipas tij, Izraeli ka lejuar kalimin e rreth 100 kamionëve të tjerë, por ato janë ende të bllokuar. Para luftës, në Gaza hynin çdo ditë mbi 500 kamionë me ndihma dhe mallra.
Ndërkohë, brenda vetë Izraelit ka nisur një valë kritikash të forta ndaj mënyrës si po menaxhohet lufta në Gaza.
Në Gaza, situata mbetet dramatike. Të martën, sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 85 persona, përfshirë gra dhe fëmijë që ishin strehuar në një shkollë dhe një shtëpi familjare në veri të territorit.
Numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i luftës ka kaluar 53,000, ndër ta më shumë se 28,000 gra dhe fëmijë, sipas të dhënave nga UN Women.
Shumica e banorëve të Gazës janë zhvendosur disa herë për t’i shpëtuar luftimeve, por asnjë pjesë e territorit nuk është më e sigurt.
Top Channel