
Brukseli duket i gatshëm të avancojë me heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se shpresonte që një marrëveshje të arrihej në një takim të ministrave evropianë të mbrojtjes.
“Lidhur me Sirinë, shpresoj se do të biem dakord të heqim sanksionet ekonomike sot”, u tha Kallas gazetarëve para takimit, duke vënë në dukje se Evropa duhet ose t’i japë Sirisë një shans për t’u stabilizuar ose të rrezikojë të përfundojë në një situatë si ajo e Afganistanit.
Ministrat evropianë po shqyrtojnë një vendim për të hequr sanksionet ekonomike, duke ruajtur sanksionet që lidhen me regjimin e ish-Presidentit Bashar al-Assad dhe duke futur masa kundër shkelësve të të drejtave të njeriut, thanë zyrtarët.
Marrëveshje paraprake
Ambasadorët e BE-së arritën një marrëveshje paraprake dje mbi një marrëveshje politike për të hequr sanksionet ekonomike, thanë diplomatët, duke vënë në dukje se vendimi përfundimtar u takon ministrave.
“Është e qartë se duam vende pune dhe mjete jetese për popullin e Sirisë në mënyrë që të bëhet një vend më i qëndrueshëm”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së.
Çfarë sanksionesh do të hiqen?
Diplomatët evropianë thanë se sanksionet që do të hiqen kanë të bëjnë kryesisht me sistemin bankar sirian, i cili mbetet i bllokuar nga tregjet ndërkombëtare, ndërsa asetet e bankës qendrore siriane do të lirohen gjithashtu.
Megjithatë, 27 vendet anëtare nuk e përjashtuan mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën kundër komunitetit alavit në Siri në javët e fundit.
Diplomatët theksuan se masa të tjera kundër regjimit të Asadit dhe ndalimi i shitjes së armëve ose pajisjeve që mund të përdoren për shtypje do të mbeten në fuqi.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se këto sanksione mund të rivendosen nëse udhëheqja e re e Sirisë nuk arrin të mbajë premtimin e saj për të respektuar të drejtat e pakicave dhe për të ecur drejt demokracisë.
BE-ja tashmë ka lehtësuar sanksionet që lidhen me energjinë, transportin dhe rindërtimin, si dhe transaksionet financiare të lidhura, por disa shtete anëtare kanë argumentuar se masat nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar në mbështetjen e tranzicionit politik dhe rimëkëmbjes ekonomike të Sirisë.
Donald Trump njoftoi heqjen e sanksioneve
Javën e kaluar, për habinë e të gjithëve, presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se do të urdhëronte heqjen e sanksioneve të SHBA-së kundër Sirisë.
Përballë një vendimi të mundshëm nga Brukseli, Ministri i Jashtëm Sirian Asaad al-Shaibani tha sot se heqja e sanksioneve pasqyron “vullnetin ndërkombëtar” për të mbështetur vendin e tij.
“Heqja e sanksioneve shpreh vullnetin rajonal dhe ndërkombëtar për të mbështetur Sirinë”, tha Shaibani në një konferencë për shtyp në Damask me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi, duke shtuar se populli sirian ka sot një mundësi historike dhe shumë të madhe për të rindërtuar vendin e tij.
Top Channel