Zelensky reagon pas telefonatës Trump-Putin, presidenti ukrainas: I kërkova homologut amerikan të mos…

19/05/2025 22:57

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se, në telefonatën e mëparshme me homologun e tij amerikan, ai i kishte kërkuar Donald Trump të mos merrte “asnjë vendim” për Ukrainën pa miratimin e Kievit.

“I kërkova të mos merrte asnjë vendim për Ukrainën pa ne, përpara telefonatës së tij me presidentin Putin. Kjo është një çështje parimore që është shumë e rëndësishme për ne”, theksoi Zelensky në një konferencë për shtyp.

Ukraina nuk do të pranojë të tërheqë forcat e saj të armatosura nga zonat që janë ende nën kontrollin e saj, të cilat Moska pretendon se i ka aneksuar plotësisht, tha Zelensky.

“Askush nuk do të largohet nga toka jonë, territoret tona, njerëzit tanë”, theksoi presidenti ukrainas, duke shtuar se nëse Rusia vendos kushte për tërheqjen e trupave tona nga territoret tona, kjo do të thotë se nuk dëshiron një armëpushim dhe nuk dëshiron që lufta të përfundojë.

Duke komentuar referencën e Kremlinit për një “memorandum” që do të përcaktonte kornizën për një marrëveshje të ardhshme paqeje, Zelensky tha se nuk i dinte detajet e kësaj për momentin, por shtoi se Kievi do të ishte i gatshëm të merrte në konsideratë propozimin rus.

“Nuk di asgjë për këtë ende. Sapo të marrim memorandumin ose propozimet nga rusët, do të jemi në gjendje të formulojmë qëndrimin tonë në përputhje me rrethanat”, shtoi ai.

Ndërkohë, Zelensky njoftoi se Kievi dhe partnerët e tij po shqyrtojnë organizimin e një samiti me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara, vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.

Duke folur me gazetarët në Kiev, Zelensky shprehu shpresën se ky takim do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur. Samiti mund të organizohet nga Turqia, Vatikani ose Zvicra, shtoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta