
Shërbimi francez i inteligjencës së jashtme (DGSE) “mohoi kategorikisht” akuzat e themeluesit të platformës së mesazheve Telegram, sipas të cilit Parisi u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të mbajtura dje, të dielën, në Rumani.
DGSE sqaron se në vitet e fundit “ka qenë me të vërtetë në kontakt të drejtpërdrejtë me Pavel Durovin”, por mohon se i ka kërkuar atij të ndalojë disa mesazhe “konservatore”, siç pretendoi vetë biznesmeni rus përmes X.
Pavel Durov akuzoi kreun e agjencisë franceze të inteligjencës së jashtme DGSE, Nicolas Lerner, se i kishte kërkuar të ndalonte zërat konservatorë në Rumani para zgjedhjeve presidenciale të djeshme rumune, duke shtuar se ai e kishte refuzuar kërkesën.
— Kekius Maximus (@elonmusk) May 18, 2025
Durov, i cili ka lindur në Rusi, është nën mbikëqyrje gjyqësore në Francë, i mbyllur në hotelin luksoz parizien Crillon, pasi është akuzuar për krim të organizuar në Telegram.
Ai deklaroi se ishte Lerner, kreu i DGSE-së, ai që iu afrua.
“Këtë pranverë në Salon des Batailles (Salla e Betejave) të Hôtel de Crillon, Nicolas Lerner, kreu i shërbimit të inteligjencës franceze, më kërkoi të ndaloja zërat konservatorë në Rumani para zgjedhjeve. “Unë refuzova”, shkroi Durov vonë mbrëmë në X.
“Ne nuk i bllokuam njerëzit që protestonin në Rusi, Bjellorusi apo Iran. Nuk do ta fillojmë ta bëjmë këtë në Evropë.”
Kryebashkiaku i Bukureshtit, Nicos Dan, fitoi zgjedhjet presidenciale të djeshme në Rumani kundër Gheorghe Simeon, një nacionalist i linjës së ashpër i cili kishte premtuar të ndiqte një rrugë të frymëzuar nga politikat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Rezultati në Rumani ishte një lehtësim për politikëbërësit e qendrës në Bruksel, ku ekziston shqetësimi se zemërimi popullor kundër elitave për imigracionin dhe presioni nga kostoja e lartë e jetesës mund të rrisë mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë dhe të gërryejë unitetin në kontinent për sa i përket marrëdhënieve me Rusinë.
DGSE lëshoi një deklaratë duke thënë se zyrtarët e saj ishin takuar me Durov disa herë gjatë viteve “për t’i kujtuar atij në mënyrë strikte përgjegjësitë e kompanisë së tij në parandalimin e kërcënimeve terroriste dhe pornografisë së fëmijëve”.
Megjithatë, DGSE “mohon kategorikisht akuzat se në këto takime u bënë kërkesa për të mbyllur llogaritë që lidhen me çdo proces zgjedhor”.
Akuza e Durov u përsërit në X nga miliarderi amerikan Elon Musk, një nga disa figura të fuqishme të së djathtës amerikane i cili ka akuzuar vendet evropiane për shtypjen e zërave të ekstremit të djathtë. “Uau,” shkroi Musk.
Ministria e Jashtme franceze gjithashtu mohoi se ka ndodhur ndonjë ndërhyrje e tillë.
Top Channel