
Belishova, një ndër fshatrat e njohura të Mallakastrës për prodhimin e hershëm të qershive, sot po përballet me një situatë alarmante: qindra pemë janë tharë.
Sipas banorëve, kushtet e pafavorshme atmosferike kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e prodhimit dhe në dëmtimin gradual të pemëve frutore.
Me nostalgji ata kujtojnë vitet kur qershitë e para në tregun vendas vinin pikërisht nga zona e tyre, dhe mbiprodhimi ishte aq i madh sa frutat kalbeshin në pemë.
Sot, me keqardhje shprehin se mezi arrijnë të mbledhin dy arka qershi, sa për konsum familjar.
Përveç ndikimit të klimës, edhe braktisja masive e fshatit ka luajtur një rol të madh në këtë rënie.
Nga rreth 400 familje që jetonin dikur në Belishovë, sot kanë mbetur vetëm rreth 150, çka ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe mirëmbajtjen e tokave bujqësore.
Përballë kësaj situate të vështirë, banorët shprehen se, veçanërisht në tre vitet e fundit, vëmendja e tyre është zhvendosur drejt kultivimit të ullirit, si një alternativë më e qëndrueshme për klimën dhe kushtet aktuale të fshatit.
Top Channel