
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, që u dënua për shpërdorim detyre pas skandalit seksual në zyrë, u lirua nga burgu me vendim të Gjykatë së Apelit.
Gjicit i kishin mbetur edhe rreth 8 muaj vuajtje dënimi, ndërsa vendimi u mor për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar.
Ai kishte dorëzuar dy herë kërkesë në Gjykatën e Elbasanit për liri me kusht. Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar. Avokati është shprehur se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore.
Safet Gjici u dënua me 3 vite burgim për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Atij iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Gjithë ngjarjen me Alma Kaçin, po ashtu e gjetur fajtore nga të dyja shkallët e gjyqësorit, Apeli i Posaçëm e konsideroi si një aferë korruptive. Ndërkohë, për protagonisten u shfuqizua vendimi i shkallës së parë që e shpalli fajtore për prostitucion dhe ajo u dënua për korrupsion aktiv, duke i dhënë në përfundim një vit.
Top Channel