
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez bëri thirrje sot për “ushtrimin e presionit mbi Izraelin për të ndaluar masakrën në Gaza”, duke thënë se Spanja do të propozojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “të vendosë” mbi aksesin e ndihmës humanitare në enklavën palestineze.
“Kriza shumë serioze humanitare që ka ndodhur në Gaza që nga tetori i vitit 2023 ka shkaktuar më shumë se 50,000 vdekje, 100,000 plagosje dhe dy milionë shpërngulje”, kujtoi kreu i qeverisë spanjolle gjatë një fjalimi që mbajti në një samit të Lidhjes Arabe në Bagdad.
“Përballë këtyre elementëve të papranueshëm që sfidojnë parimin e njerëzimit, ne duhet të intensifikojmë presionin tonë mbi Izraelin për të ndaluar masakrën në Gaza, veçanërisht përmes kanaleve që na ofron e drejta ndërkombëtare”, vijoi ai.
“Për këtë qëllim, Spanja do t’i “paraqesë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një propozim që do të synojë t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendosë mbi respektimin e Izraelit për detyrimet e tij ndërkombëtare në lidhje me aksesin në ndihmën humanitare në Gaza”, tha Sanchez.
Gjatë fjalimit të tij, Sánchez sqaroi gjithashtu se Spanja do të paraqesë një projektrezolutë tjetër që do t’i kërkojë Izraelit të “përfundojë bllokadën humanitare që ka vendosur në Gaza” dhe të garantojë “qasje të plotë dhe të papenguar për ndihmën humanitare” në enklavën palestineze.
Gjatë një fjalimi para parlamentit spanjoll më 7 maj, kryeministri spanjoll kishte njoftuar tashmë se Spanja do të paraqiste një projektrezolutë me “masa emergjente për të ndaluar masakrën e civilëve” dhe garanci për hyrjen e “ndihmës humanitare” në Gaza.
Përveç këtyre iniciativave të ndryshme, përparësia është “të bëhet përparim në një zgjidhje politike” në rajon, këmbënguli sot Sanchez, duke marrë parasysh se “e vetmja rrugë drejt paqes në rajon” është “zbatimi i zgjidhjes me dy shtete”.
Për këtë arsye, “do të doja t’u bëja edhe një herë thirrje shteteve të tjera të njohin Shtetin e Palestinës”, nënvizoi ai, duke treguar se mbështetet në samitin ndërkombëtar në Arabinë Saudite në qershor për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit izraelito-palestinez.
Top Channel