Samiti i Komunitetit Politik/ Rama propozon ‘një aleancë përtej armatimit’: Pse të mos imagjinojmë një KPE të arsimit e shkencës, ku vendet joanëtare bëhen kufij të rinj të BE-së

16/05/2025 13:24

‘Një aleancë përtej armatimit’, ishte propozimi i kryeministrit Edi Rama në Samitin e Komunitetit Politik Europian, ku kërkoi që unioni të mos fokusohet vetëm te mbrojtja, por të jetë edhe burim dijeje, kërkimi e inovacioni, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj.

Në vend që të flasim vetëm për armë, duhet t’u japim të rinjve një të ardhme më të mirë, tha Rama. Sipas tij, shtëpia e re e Europës duhet të jetë ajo që bën realitet “imagjinatën e etërve dhe fëmijëve tanë”.

“Nuk duhet të investojmë vetëm te mbrojtja, por te zemrat e mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës. Pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, shkencës dhe Inteligjencës Artificiale. Një aleancë përtej armatimit. Një burim dijeje, kërkimi e inovacioni, ku vendet që nuk janë anëtare të BE-së bëhen kufij të rinj, ringjallje e asaj që pasoi rënien e murit të Berlinit. Duhen tërhequr të rinjtë në përqafimin e Europës, ku nga këto investime pati dividentë të lartë. T’u japim të rinjve të Europës një arsye më të mirë për të qëndruar se sa të flasim vetëm për armë, për të ëndërruar në tokën europiane.

Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës nuk është një udhëtim rrëmbimi, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje, një kthim në shtëpi. Padyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve por me imagjinatën e fëmijëve tanë e etërve tanë, një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta