
Të premten, gjykata e qarkut Chautauqua dënoi Hadi Matar, 27 vjeç, nga New Jersey, i cili ishte shpallur fajtor për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë, pasi sulmoi shkrimtarin Salman Rushdie në vitin 2022.
Dënimi i tij erdhi pas një gjyqi të gjatë dhe intensiv, ku Rushdie, 77 vjeç, përshkroi momentin e sulmit dhe shqetësimin e tij se do të vdiste.
Rushdie ishte plagosur rëndë në sulmin që ndodhi gjatë një ngjarje letrare në shtetin e Nju Jorkut, ku ai u godit me thikë dhe humbi syrin e djathtë.
Deklarata e Matarit në gjykatë
Para se të merrte dënimin, Matar dha një deklaratë në gjykatë, ku shprehu arsyet e tij për sulmin:
“Salman Rushdie dëshiron të mos respektojë njerëzit e tjerë, të jetë një ngacmues. Unë nuk pajtohem me këtë.”
Matar gjithashtu u dënua me shtatë vjet burg për plagosjen e Ralph Henry Reese, një moderator, i cili gjithashtu u godit gjatë sulmit. Prokurori i qarkut Chautauqua, Jason Schmidt, tha se dënimet do të bëhen njëkohësisht, pasi të dy viktimat u plagosën në të njëjtën ngjarje.
“Ai e projektoi këtë sulm për të shkaktuar sa më shumë dëme, jo vetëm ndaj Rushdie-t, por edhe ndaj këtij komuniteti, ndaj atyre 1,400 njerëzve që ishin atje për ta parë atë,” tha Schmidt.
Avokati i Matarit, Nathaniel Barone, argumentoi se klienti i tij kishte një dosje të pastër penale dhe kundërshtoi që të merreshin parasysh efektet e ngjarjes në publik. “Ky rast ka qenë një sfungjer publiciteti ndërkombëtar,” tha Barone.
Ai shtoi se Matar nuk kishte pasur kurrë mundësinë për të shpallur pafajësinë e tij që nga fillimi.
Detajet e sulmit dhe dëmet
Rushdie, i cili dëshmoi në gjykatë, përshkroi momentin e sulmit, duke thënë: “U bëra i vetëdijshëm për një sasi të madhe gjaku. Ndjesia ime e kohës ishte mjaft e turbullt, kisha dhimbje në sy dhe dorë, dhe mendova se po vdisja.”
Në total, Matar e kishte goditur Rushdien 15 herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda në syrin e djathtë, mëlçinë dhe zorrët. Pas sulmit, Rushdie pësoi dëmtime të përhershme në syrin e tij të djathtë.
Motivimi i sulmit
Sipas aktakuzës, Matar e kreu sulmin në emër të një fjalimi të mbajtur nga shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në vitin 2006, ku ky i fundit mbështeti një fetva (urdhër dënimi me vdekje) të lëshuar kundër Rushdie nga udhëheqësit fetarë iranianë për romanin e tij të famshëm Vargjet Satanike. Matar pranoi se kishte lexuar vetëm “disa faqe” të librit dhe nuk ishte njohur mirë me përmbajtjen e tij, por e veproi për shkak të ndikimit të liderëve fetarë.
Rushdie më vonë përshkroi përvojën e tij të tmerrshme dhe rrugën e gjatë të rimëkëmbjes në librin e tij Thike: Meditations After an Attack Murder.
Top Channel