
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll, sipas gazetës ruse ‘Kommersant’, ndërsa Kremlini nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me përbërjen e delegacionit rus.
Dje, gazeta Washington Post, duke cituar një zyrtar të lartë të Kremlinit, shkroi se delegacioni rus mund të udhëhiqet nga këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Informacione të ngjashme ishin shfaqur më parë në kanalet ruse në Telegram, si dhe në mediat kineze.
Të mërkurën, i dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se planifikon të udhëtojë për në Stamboll me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio të premten, më 16 maj.
Ukraina dhe Rusia kanë planifikuar bisedime në Turqi më 15 maj. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është gati të udhëheqë delegacionin ukrainas. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha nga ana e tij se vizita e tij në Turqi do të përcaktohet nga vizita e presidentit rus, Vladimir Putin, në vend.
“Nëse mund ta përfundojmë luftën, unë do të iki”, theksoi presidenti amerikan, Donald Trump.
Top Channel