
Presidenti kinez Xi Jinping u premtoi sot udhëheqësve të Amerikës Latine të forcojnë marrëdhëniet me rajonin, në një kontekst ndërkombëtar të shënuar nga “konfrontimi” dhe “ngacmimi”, në një referencë të qartë për Shtetet e Bashkuara.
Xi mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes së një takimi të madh ministror midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, në të cilin mori pjesë edhe Presidenti brazilian Lula.
Gjigandi aziatik vitet e fundit ka intensifikuar bashkëpunimin e tij ekonomik dhe politik me vendet e Amerikës Latine dhe shpreson se ato do të formojnë një front të përbashkët me të kundër fushatës së Donald Trump për të vendosur tarifa doganore.
Duke iu drejtuar udhëheqësve dhe shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), i cili bashkon 33 vende, Xi Jinping vlerësoi sot marrëdhëniet e gjata midis vendit të tij dhe rajonit.
“Edhe pse Kina, Amerika Latine dhe Karaibet janë shumë larg njëra-tjetrës, të dyja palët kanë një histori të gjatë shkëmbimesh miqësore”, siguroi ai. “Vetëm nëpërmjet unitetit dhe bashkëpunimit, vendet mund të ruajnë paqen botërore dhe stabilitetin global, si dhe të nxisin zhvillimin dhe prosperitetin në të gjithë botën”, tha Xi.
Presidenti kinez premtoi se Kina do të lirojë 66 miliardë juanë (8.3 miliardë euro) kredi për të mbështetur zhvillimin e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Këto deklarata të Xi Jinping vijnë një ditë pasi Uashingtoni dhe Pekini njoftuan një marrëveshje që synonte të ulte në mënyrë drastike, për 90 ditë, tarifat doganore ndëshkuese që i imponojnë njëri-tjetrit.
Ky vendim shënon një ulje të ndjeshme të tensioneve në luftën e ashpër tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, e cila ka mbjellë kaos në tregjet globale.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara ranë dakord të ulin tarifat shtesë doganore për produktet kineze në 30%, ndërsa Kina do t’i ulë të vetat në 10% për mallrat e importuara amerikane.
“Askush nuk mund të fitojë një luftë tarifore ose një luftë tregtare”, tha Xi Jinping sot para udhëheqësve të Amerikës Latine dhe zyrtarëve të lartë.
“Ngacmimi dhe hegjemonia çojnë vetëm në izolim”, theksoi ai.
Ndër udhëheqësit kryesorë të Amerikës Latine të pranishëm në Pekin janë, përveç Luiz Inácio Lula da Silva, i cili mbërriti në Pekin të shtunën për një vizitë zyrtare pesëditore, presidenti kilian Gabriel Boric dhe homologu i tij kolumbian Gustavo Petro.
Ky i fundit njoftoi javën e kaluar se do të nënshkruante një letër qëllimi që vendi i tij të merrte pjesë në “Rrugët e Reja të Mëndafshit”.
Një shtyllë qendrore që nga viti 2013 e strategjisë së Pekinit për të rritur ndikimin e saj jashtë vendit, ky program, emri zyrtar i të cilit është “Një Brez, Një Rrugë” dhe në të cilin marrin pjesë më shumë se njëqind vende, synon të ndërtojë infrastrukturë detare, rrugore dhe hekurudhore në të gjithë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim.
Dy të tretat e vendeve të Amerikës Latine i janë bashkuar tashmë “Rrugëve të Reja të Mëndafshit”.
Pa përmendur Shtetet e Bashkuara, Petro sot kundërshtoi politikën ekonomike amerikane, trajtimin e emigrantëve, apo edhe skepticizmin e shprehur nga Uashingtoni në lidhje me ndryshimet klimatike, ndërsa bëri thirrje për një diplomaci që i merr më shumë parasysh interesat e Amerikës Latine.
Ky dialog “mund të zhvillohet pa autoritarizëm dhe imperializëm, një shkëmbim i barabartë midis qytetërimeve, ku Evropa dhe Afrika padyshim do të luajnë një rol themelor nga njëra anë dhe Kina dhe Azia nga ana tjetër”, tha ai në fjalimin e tij.
Një tregues i peshës në rritje të Kinës në Amerikën Latine është fakti se në vendet e këtij rajoni, si Brazili, Peruja apo Kili, gjigandi aziatik ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si partneri i parë tregtar.
Top Channel