Nga Eduard Zaloshnja

Në Zgjedhjet e vitit 2021, PD-An mori 622187 vota të vlefshme dhe LSI mori 107538. Gjithsej të dyja morën rreth 730 mijë vota të vlefshme.

Në zgjedhjet e 11 majit, këto parti u futën në garë si një koalicion i përbashkët, me shpresë se bashkimi do të bënte fuqinë… Por të bashkuara ato morën shumë më pak vota të vlefshme brenda vendit, krahasuar me sa kishin marrë para katër vjetësh – vetëm 480 mijë sipas një projeksioni statistikor të bazuar në 4970 kutitë e numëruara deri në momentin e këtij shkrimi (nga 5225 gjithsej).

Pra, partitë e mëdha opozitare krijuan një gropë gjigande elektorale prej plot 250 mijë votash brenda vendit. Dhe kjo gropë elektorale në opozitë nuk u mbush dot nga partitë e vogla opozitare. Gjithsej ato morën vetëm 190 mijë vota të vlefshme brenda vendit. Mbi treçerekun e tyre i morën PSD, Nisma- SHB, dhe Partia Mundësia.

Edhe PS-ja e krijoi një gropë të vogël elektorale – më 2021 mori pothuaj 770 mijë vota të vlefshme, ndërsa më 11 maj mori rreth 730 mijë vota të vlefshme brenda vendit. Kjo gropë e vogël e majtë duket se u mbush pjesërisht nga Lëvizja Bashkë.

Shihni në tabelën e mëposhtme një përmbledhje të këtyre numrave.

VOTA TË VLEFSHME BRENDA VENDIT
  2021 2025 Ndryshimi
PS 770,000 730,000 -40,000
PD-ASHM 730,000 480,000 -250,000
P. te vogla 80,000 190,000 +110,000
Gjithsej 1,580,000 1,400,000 -180,000
Shënim 1: Më 2021, rezultuan 83 mijë vota të pavlefshme. Sivjet rezultojnë rreth 60 mijë vota të pavlefshme brenda vendit.

 

Shënim 2: Shifrat janë rrumbullakosur për lehtësi leximi

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta