
Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar zyrtarisht dhe ka mohuar një lajm të publikuar në një media, ku pretendohet se Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ndërhyri për të hequr emrat nga artikulli i raportit të ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it.
“Pretendimet se Ambasadori i BE-së ndërhyri për të hequr emrat nga artikulli i raportit të ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it, janë të rreme. Siç theksoi së fundmi Ambasadori i BE-së në deklaratat për shtyp, Bashkimi Evropian nuk ndërhyn dhe as nuk kërkon të ndikojë në proceset demokratike të Shqipërisë. Për më tepër, raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë të pavarura, të paanshme dhe të bazuara vetëm në gjetjet e verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve”, thuhet në reagim.
“BE është këtu për të mbështetur dhe shoqëruar Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, jo për të ndërhyrë ose manipuluar në asnjë mënyrë. Dezinformimi mund të minojë besimin e publikut në proceset demokratike”, mbyllet kjo komunikatë.
Top Channel