
Sipas projeksioneve deri më tani, PS-ja është në krye të garës zgjedhore, me 83 mandate, për të shkuar drejt mandatit të katërt.
Ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi komentoi në “Shqipëria Vendos” në Top Channel rezultatet e deri më tanishme, duke cilësuar PD-në si më të dobëtën ndonjëherë dhe opozita po paguan për çdo gjë që ka bërë.
Sidorela Gjoni: Mos bëre gabim që u tërhoqe? Mund ta kishe marrë 100% dhe ti një mandat…
Petro Koçi: Jo, jo (qesh). Këto janë përcaktime parimore. Por që të vijoj aty ku e nisa. PD-ja po paguan gjithë historinë e vetë. Po paguan ’96-ën,’97-ën, ’98-ën me 14 shtatorin. Po paguan 21 janarin, Gërdecin, po paguan kthimin të palogjikshëm dhe vetëvrasës të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Pa paguan LaCivitën, që e pagoi me miliona dollarë, po paguan lobimin që bëri PD-ja për t’i garantuar një vizë z.Berisha për në Shtetet e Bashkuara. Po paguan gjithçka. Fitorja nuk bazohet thjeshtë te dobësia e opozitës. Ky është një fakt që nuk llogaritet. Në fund të fundit, gara është me PD-në, ajo është fuqia kryesore e opozitës.
Sidorela Gjoni: Po të habit ndopak Fieri? 12 mandate deri më tani me këtë rezultat…
Petro Koçi: Është zhytur PD-ja shumë më rëndë se në 2021-shin. Duke parë shifrat, PD-ja është shumë më e dobët. Në 2021 kishte një farë iluzioni. Nuk ishte në krye të PD-së Berisha, ishte Basha… Një lider i dobët, por gjithsesi… Mund të krijonte përshtypjen e diçkaje ndryshe në raport me Berishën.
Top Channel