Re toksike mbi Katalonjë, më shumë se 160,000 banorë urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

10/05/2025 11:12

Një re toksike klori është përhapur mbi pjesë të Katalonjës pasi një zjarr i fuqishëm shpërtheu në një zonë magazinimi industrial që përmbante produkte kimike për pishina. Ngjarja ka detyruar autoritetet të urdhërojnë më shumë se 160,000 banorë të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre.

Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një zonë industriale në komunën Vilanova i la Geltrú, midis qyteteve Barcelonë dhe Tarragona, duke shkaktuar formimin e një reje të dendur klori mbi pesë rajone bregdetare.

“Nëse ndodheni në zonën e prekur, mos dilni nga shtëpia apo vendi i punës,” paralajmëroi Mbrojtja Civile e Katalonjës në një njoftim në rrjetet sociale, duke kërkuar që banorët të mbyllin dritaret dhe të shmangin ekspozimin në ajër të hapur.

Sipas departamentit të zjarrfikësve, aktualisht nuk raportohet për të lënduar, por forcat e emergjencës janë të mobilizuara në terren për të mbajtur situatën nën kontroll. Zjarri është vënë nën kontroll, megjithatë reja toksike vijon të monitorohet për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë.

“Klori rrallë merr flakë, por kur ndodh është shumë e vështirë të shuhet,” deklaroi Jorge Viñuelas Alonso, pronar i objektit të magazinimit, në një intervistë për radion lokale.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë deri në një njoftim të dytë, ndërsa ekipet teknike janë në gatishmëri për të vlerësuar ndikimin mjedisor dhe shëndetësor të incidentit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta