
Nga Aladin Stafa
Më 8 Maj 2025, Kardinali Robert Francis Prevost u zgjodh Papa i 267-të në historinë e Kishës Katolike Romane, duke marre emrin Papa Leo i XIV-të.
E meqë realiteti i zhvillimeve të fundit në botë pati rezervuar mjaft të papritura, edhe kësaj here nuk mundi të ndodhte ndryshe. Për herë të parë në historinë e Vatikanit, një amerikan vjen në krye të papatit.
I lindur në Çikago, në Illinois, Robert Prevost iu bashkua që në rininë e tij të hershme Urdhrit të Shën Agustinit e më pas u shugurua si meshtar në vitin 1982. Shërbimi i tij ka përfshirë një punë të gjerë misionare në Peru nga viti 1985 deri në 1986 dhe nga 1988 deri në 1998, ku shërbeu në mënyra të ndryshme si mësues, administrator famullie dhe pastor.
I zgjedhur gjeneral paraprak i Urdhrit të Shën Agustinit nga viti 2001 deri në 2013, ai më vonë u kthye në Peru si peshkop i Chiclayo gjatë viteve 2015–2023. Në vitin 2023, Papa Françesku e emëroi atë prefekt të Dikasterit të Ipeshkvijve dhe president të Komisionit Papnor për Amerikën Latine dhe e emëroi R. Prevost, kardinal në të njëjtin vit.
Përtej rënies së barrierave kufitare, një bote të globalizuar apo dhe tendencës në rënie të respektimit të parimeve në traditë dhe histori, cfarë do të thotë në të vërtetë ky fakt?
A duhet ta shohim rolin e Papës së ri si një individ të vetëm në këtë hapësirë gjeopolitike apo mund edhe ta veshim me paragjykimin e përfaqësimit edhe në papat të një superfuqie botërore, ku ndikimin e vet politik e ekonomik të saj, po kërkon ta përcjellë edhe në fe.
Ndërsa shumë nga ne mendonin se influenca e fesë në ditët e sotme po dukej se ka rënë dhe individi thuajse është larguar nga raporti i tij me Zotin, ngjarjet e fundit treguan të kundërtën.
Besimi është aty, në mënyrën e tij inovative e të përvecme por tanimë me një forcë të ashtuquajtur ‘të butë‘ në përcimin e moralit, vlerave dhe aseteve të tjera diplomatike. Pas plot katër raundesh e mbi dy ditë, tymi i bardhë, simboli i votimit papal, lajmëroi të gjithë botën për zgjedhjen e papës së ri.
Një zgjedhje sa e papritur aq edhe logjike. Duke ditur se Vatikani është orientuar gjithmonë drejt Europës apo dhe Amerikës Latine, këtë herë mendohet simbolikisht se zgjedhja e një amerikani në krye të Vatikanit nuk tregoi vetëm një lëvizje prej boshtit historik por dhe unitetit apo dhe një dakortësimi absolut.
Vlen për t‘u theksuar se lobi i Vatikanit pavarësisht numrit të vogël të tij, mbetet i fuqishëm dhe influencues tek politikat e liderëve botërore, duke i dhënë një trajektore ndryshe skenës së paskuintave. Nëse asokohe pushteti i tij do të ishte i drejtëpërdrejtë dhe i prekshëm, tanimë ai bëhet i pazhurmë dhe më operacional.
Megjithëse Papa i fundit, Bergoglio kishte një qasje më moderne dhe më vizionare ndaj fesë dhe Zotit në vlera morale dhe në besim krahasimisht me Papa Leo e XIV-të, i cili është etiketuar si më konservativ, në fjalimin e fundit, Prevost e tha qartë se do të ruante të njëjtat parime të Papa Franceskut të ndjerë, por gjithmonë duke i qëndruar fuqimisht doktrinës së Kishës Katolike pa lënë shumë hapesirë për debat.
Ai shihet si dikush që e cmon rregullin e brendshëm dhe hierarkinë duke e bërë atë më pak tolerant rreth ambiguitetit teologjik dhe kaosit që ka nisur në Kishë prej kohësh. Në një mënyre ose tjetër ne e pamë se këto ishin dhe pikat kyce të sloganeve që sollën Presidentin Trump në pushtet.
Ndërkohë që bota po shkonte drejt një hapjeje të pabalancuar e mes trazirave të pamenaxhueshme duke dalë prej boshtit të saj historik, Trump fitoi duke tundur fort sloganin e ruajtjes së vlerave të familjes si dhe ndaljen e eksperimenteve tek njeriu sikur të ishin kavje me doktrina të reja por të rrezikshme.
Duket se këtë herë pushteti fetar i është përputhur “si rastësisht” pushtetit politik jo vetëm prej origjinës së aktorëve në skenën e madhe të botës por dhe lojën që i eshte dashur te bejne. E pikërisht superfuqia që më shumë se kurrë përjetoi jo pak trazime vitet e fundit në historinë e saj, me këtë zgjedhje të re demonstroi se diti të ringrihet. Ashtu sikurse Cezari në Perandorinë e Romës, influencoi ndjeshëm në fe, historia ka destinin të përësërisë veten. Ngarjet nuk kanë pse të ndryshojnë rrjedhën e tyre profetike.
Në thelb ama, qëndron besimi i njeriut tek Zoti, bashkimi dhe humaniteti i përcjellë në mënyrë direkte e empatike nga vetë Kisha. Kundërpërgjigjia ndaj trazirave dekadën e fundit, luftrat për pushtet, ankthi për të ardhmen dhe humbjet e jetëve të pafajshme nuk mund bekohej më mirë se fjalët e para të inagurimit të Papës së ri në ballkonin e St. Peter Basilica – Paqja qoftë me ju!
Top Channel