Analiza/ Preç Zogaj: Non grata-t e shpallura dhe të hequra me dollarë do të ishin një damkë për SHBA-të

10/05/2025 18:04

Nga Preç Zogaj

Në Shqipëri është investuar një opinion shumë i rrezikshëm për imazhin e SHBA-ve në sytë e shqiptarëve: Shpalljet non gratta mund të bëhen me dollarë dhe të hiqen me dollarë!

Një opinion si ky e tregon shtetin amerikan një arenë xhambazësh, të cilët, duke përdorur madhështinë amerikane dhe tarafet në administratë, bëjnë para me abuzimet lloj-lloj të bajraktarëve politikë të një vendi të vogël.

Nëse do të faktohej, do ta zhverësonte plotësisht instrumentin ligjor të shpalljeve non gratta si një mjet që ka për qëllim të luftojë korrupsionin dhe minimin e demokracisë në vendet mike. Më tej, do t’u jepte një goditje të fortë vlerave amerikane.

Personalisht, nuk e kam besuar Sali Berishën kur u thoshte ndjekësve të tij se ishte viktimë e një komploti të sponsorizuar nga miliarderi Xhorxh Soros dhe veglat e tij në Departamentin e Shtetit. Jo se dija ndonjë gjë më shumë se të tjerët. Por ideja se një miliarder nga të shumtët në SHBA mund të marrë zvarrë për interesa meskine vendimarrjen e shtetit më të fuqishëm të botës nuk më qëndronte në arsyetim. Jo vetëm mua. Miliona njerëzve që venë në punë mendjen dhe mbështetjen vetëm në fakte të pakontestueshme kur flitet për çështje të tilla. Veç kësaj nuk kishte arsye të viheshin në dyshim shpjegimet e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit se në pjekjen e vendimit për të saksionuar një politikan marirn pjesë një numër i madh Departamentesh e agjencish, përfshirë FBI dhe CIA-n. Po të kishte spekulime në ketë shpjegim, me siguri së paku një prej Departamenteve a agjencive të cituara do të distancohej.

Njëlloj dhe sot. Për të njëjtën arsye, projekti i kundërt për të zhbërë një non gratta me 6 milion dollarë nuk më qëndron.

Për lobimin e shpalljes non grata të Berishës para katër vitesh nuk e dimë sa dollarë janë vënë në dispozicion nëse janë vënë. Nuk e dimë si janë dhënë nëse janë dhënë. Nuk e dimë kush është paguar dhe çfarë gjurme kanë lënë pagesa eventuale në procedurën e sanksionimit të ish kryeministrit shqiptar. Berisha me rrethin e miqve të tij në SHBA nuk kanë sjellë ndonjë provë përgjatë këtyre viteve. E kanë mbajtur në nivelin e pikëpamjes.

Për lobimin e kundërt, që synon heqjen, ka transparencë të plotë. Që është shumë më mirë se po të mbetej në kulisa. Kontrata me kompaninë lobuese “Continental Strategy” me vlerë 6 milion dollarë është rregjistruar sipas rregullave.

Aktorët janë ekspozuar me emër e mbiemër. Carlos Trujillo, një aleat i hershëm i Trump, vajza e shefes së kabinetit të Tramp, Susie Wiles, Alberto Martinez, i cili ka qenë shef i stafit të senatorit Marco Rubio, para se të merrte postin e sekretarit të Shtetit. Në pika kyçe të gjithë.

Sipas klisheve shqiptare për tarafet, vajza do t’i thotë mamasë, mamaja Trampit. Po çau mamaja, Tramp do t’i thotë Rubios, i cili do të jetë i mbuluar ndërkohë!

Kësioj, pa qenë nevojë të thuhet me fjalë, lihet të kuptohet qartë se heqja po blihet.

Gjithkush që ka mundësi është në të drejtën e tij të hedhë paratë për të hequr një dënim, një damkë. E drejtë apo e padrejtë qoftë. Duke treguar me transparencë burimin e parave dhe duke respektuar bazën ligjore të pagesave në SHBA dhe Shqipëri.

Në rastin e Berishës, aktualisht kryetar i PD-së, heqja do t’i zbardhte faqen dhe do të kishte vlerë politike e publike nëse do të përmbushte dy kushte:

Së pari, Sekretari Rubio denoncon një konspiracion eventual që ka prodhuar sanksionimin e kryeministrit të Shqipërisë para katër viteve. Pra, e rrëzon shpalljen e paraardhësit të tij Blinken si padrejtësi. Kjo do të ishte ideale. SHBA-të janë vendi që kanë bërë diferencën në virtytin e forcës për të njohur e korigjuar gabimet e tyre.

Natyrisht, nëse kjo është e pamundur, për personin Berisha ka vlerë t’i hiqet edhe si falje apo në formën e faktit të kryer, pa i prekur motivet e heqjes.

Së dyti, duke u siguruar që këto akte të bëhen falas. Në nderin e SHBA-ve dhe vetë personit që ka kërkuar.

Në të kundërtën, imazhi dhe kulti i SHBA-ve në Shqipëri do pësonin bjerrje të forta. Do të legjitimohej fuqia demoniake e parasë për t’i thënë të zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë. Më tej dhe më keq, “sundimi i ligjit” dhe “askush mbi ligjin” si arritje ende të brishta, do të rrezikonin t’i sakrifikoheshin rikthimit të vendit në xhunglën e pandëshkueshmërisë.

Ndaj, thirrja për partnerët amerikanë është: Hiqjani non gratën Sali Berishës nëse i ishte dhënë me intriga. Faleni, nëse e ka merituar. Pa dollarë. Me dollarë i kushton shumë-shumë shtrenjtë Shqipërisë.

Top Channel