U zgjodh Papa i ri i Vatikanit, 10 gjëra që duhet të dini rreth Robert Prevost

09/05/2025 07:27

Kardinali Robert Francis Prevost, i njohur tani si Papa Leone (Leo) XIV, është papa i parë nga Shtetet e Bashkuara.

69-vjeçari nga Çikago njihet si një udhëheqës me përvojë globale. Ai e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si misionar në Amerikën e Jugut dhe së fundmi drejtoi një zyrë të fuqishme në Vatikan për emërimet e peshkopëve.

Zgjedhja e tij përfaqëson vazhdimësinë me papatin e të ndjerit Papa Françeskut dhe pritet që ai të vazhdojë reformat e kishës nga ana e Françeskut, si dhe përqendrimin e tij te varfëria dhe njerëzit e margjinalizuar.

Ja çfarë tjetër duhet të dini rreth papës së ri amerikan:

1. Ai ishte ‘më pak amerikani’ nga kardinalët amerikanë
Prevost lindi në Çikago. Por brenda Vatikanit, ku ai përfundimisht jetoi dhe punoi, ai konsiderohej “më pak amerikani” i kardinalëve amerikanë.

Ai punoi për një dekadë në Trujillo të Perusë dhe më vonë u emërua peshkop i Chiclayo-s, një qytet tjetër peruan, ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023.

Ai flet rrjedhshëm spanjisht dhe italisht – të cilat i shfaqi gjatë fjalimit të tij të parë para publikut në Sheshin e Shën Pjetrit.

2. Ai ishte vlerësuar mirë nga Papa Françesku

I ndjeri Papa Françesku “e respektonte dhe e vlerësonte shumë”, sipas korrespondentit të CNN në Vatikan, Christopher Lamb. “Është e qartë se Papa Françesku pa tek ai diçka – ai e shihte si një udhëheqës të aftë.”

3. Ai është anëtar i urdhrit Augustinian
Papa Leone është anëtar i urdhrit fetar Agustinian, i cili është i përhapur në të gjithë botën. Ai e udhëhoqi urdhrin për më shumë se një dekadë si ish-gjenerali i tij.

Papa i ri i përdori vërejtjet e tij të para për të thënë se është bir i Shën Agustinit dhe citoi frazën e famshme të shenjtorit: “Për ju, unë jam peshkop, me ju, në fund të fundit, unë jam i krishterë”. Kjo pasqyron idenë se të gjithë njerëzit në hierarkinë e kishës – nga udhëheqësit te anëtarët e zakonshëm – ecin së bashku.

4. Ai ka përvojë të fortë udhëheqëse
Papa Françesku emëroi Prevostin prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë, i cili është përgjegjës për vlerësimin e kandidatëve për ipeshkvij dhe për dhënien e rekomandimeve për emërime të reja.

Ai shërbeu gjithashtu si president i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.

“Që në moshë të re, ai u emërua në role udhëheqëse”, tha Elise Allen, analiste e Vatikanit për CNN. “Ai është parë si dikush i qetë dhe i ekuilibruar, i paanshëm dhe shumë i qartë për atë që mendon se duhet bërë… por nuk është shumë i vendosur në përpjekjen për ta bërë këtë të ndodhë.”

5. Ai ka një fokus misionar
«Unë ende e konsideroj veten misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që të jetë dikush», tha Prevost në një intervistë me Vatican News pak pasi mori rolin e tij udhëheqës në Romë.

Ai dikur tha në një intervistë se koha e tij në Peru ishte përvoja e jetës që e formoi më shumë.

«Ai është dikush që, edhe pse është nga Perëndimi, do të ishte shumë i vëmendshëm ndaj nevojave të një kishe globale», tha Allen. «Po flasim për dikë që kaloi më shumë se gjysmën e karrierës së tij kishtare jashtë vendit si misionar në Peru».

6. Ai është gjithashtu shtetas peruan
Leone ka shtetësi të dyfishtë, atë të Shteteve të Bashkuara dhe të Perusë. Papa i lindur në Amerikë mori shtetësinë peruane në gusht të vitit 2015, sipas Regjistrit Kombëtar të Migracionit të Perusë.

Presidentja peruane Dina Boluarte e quajti zgjedhjen e tij një “moment historik për Perunë dhe botën”.

7. Emri i tij papnor pasqyron përkushtimin ndaj të varfërve
Papa i fundit që mori emrin Leo, Papa Leo XIII, ishte një papë në anën e të varfërve dhe që mbronte punëtorët.

Leo XIII, i cili ishte Papë nga viti 1878 deri në vitin 1903, i kushtoi vëmendje të fortë të drejtave të punëtorëve dhe doktrinës sociale katolike – kështu që zgjedhja e këtij emri për Papën e ri përbën një deklaratë të fortë.

8. Ai shihet si një unifikues i qendrës
Ai është në të njëjtën linjë me Françeskun për drejtimin e kishës dhe për procesin për të nxitur një kishë globale më gjithëpërfshirëse, por pritet që ai të udhëheqë si njeriu i vet.

Pritet që Leone të anojë më shumë nga ana progresive në çështjet sociale si migrimi dhe varfëria, por të jetë më në linjë me të moderuarit në çështjet morale të doktrinës katolike.

Për të marrë shumicën prej dy të tretash në Kolegjin e Kardinalëve, ai do të duhej të kishte një mbështetje të gjerë, madje edhe midis anëtarëve më të moderuar ose konservatorë.

9. Ai studioi matematikë në Villanova
Prevost mori diplomën e tij bachelor në matematikë nga Universiteti Villanova në Pensilvani dhe vazhdoi të merrte diplomën e tij në teologji nga Unioni Teologjik Katolik i Çikagos.

Ai u dërgua përfundimisht në Romë për të studiuar të drejtën kanone dhe, më vonë në karrierën e tij, dha mësim të drejtën kanone në seminarin në Trujillo të Perusë.

10. Ai është një tifoz i tenisit
«E konsideroj veten një tenist mjaft amator», tha Prevost në një intervistë me Urdhrin Augustinian pak pasi u bë kardinal. «Që kur u largova nga Peruja, kam pasur pak raste për të ushtruar, kështu që mezi pres të kthehem në fushë».

Ai tha gjithashtu se në kohën e tij të lirë i pëlqente të lexonte, të ecte dhe të udhëtonte në “vende të reja dhe të larmishme”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta