
Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, premtoi një ndryshim të madh pas ardhjes së tij në pushtet. Megjithatë, DW thekson se fillimi i një qeverie të re, qe më shumë dështim sesa sukses.
Merz dështoi në raundin e parë, ndërsa kancelar u zgjodh në raundin e dytë të votimit më 6 maj në Bundestag.
Në raundin e parë nuk i mori votat e të gjithë deputetëve të koalicionit të tij CDU/CSU dhe SPD. As në raundin e dytë nuk votuan të gjithë nga këto parti, por megjithatë fitoi shumicën e domosdoshme. Fakti që kancelarët gjermanë gjithmonë janë zgjedhur në votimin e pare, konsiderohet si moment që i dobëson që në fillim pozitat e tij.
Edhe një anketim i ARD-së tregon se shumica e qytetarëve nuk ka entuziazëm e as ndonjë rritje besimi se ky është një fillim i madh i një ekzekutivi të suksesshëm. Në fakt, 59 % e të intervistuarve nuk e cilëson atë si zgjedhjen më të mirë, dhe vetëm një e treta kanë mendim pozitiv për shefin e ri të qeverisë.
Kjo vlen edhe për disa ministra, që patën rezultate të dobëta në sondazhe. I vetmi ministër që merr mbështetje të madhe është ish-ministri social-demokrat i mbrojtjes, Boris Pistorius.
Arsyeja e këtij popullariteti të ulët të Merzit besohet të burojë nga fakti që shumë njerëz ende janë të pakënaqur me të për shkeljen e premtimeve të shumta menjëherë pas zgjedhjeve.
Ai pati pranuar të votojë bashkë me AfD, ndërsa menjëherë pas votimeve kërkoi që të ndryshonte rregullat e futjeve në borxhe, gjë që më parë e ka kundërshtuar.
Në fillim të majit, Zyra Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV) e klasifikoi partinë AfD si një parti e vërtetuar ekstremiste të djathtë.
Partia ngriti një padi kundër vlerësimit, por Zyra pretendon se ka mbledhur prova për vite me radhë dhe se ka prova të mjaftueshme se qëllimet e AfD janë kundër demokracisë, kundër sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor.
Top Channel