
Tingëllon si skenar filmi, por është plotësisht e vërtetë. Një grup artistësh arritën të jetonin për katër vite në një apartament të fshehur brenda qendrës tregtare Providence Place në Rhode Island, pa e vënë re askush.
Kjo histori e pabesueshme zbulohet në dokumentarin e ri të Jeremy Workman të titulluar “Secret Mall Apartment” dhe është bërë tashmë virale.
Ideja lindi në vitin 2003, kur Adriana Valdez Young dëgjoi një reklamë në radio që lavdëronte qendrën tregtare të ndërtuar rishtas . E ndikuar nga mesazhi “kushdo mund të jetonte atje”, ajo vendosi, së bashku me bashkëshortin e saj të atëhershëm dhe një grup miqsh, ta bënte… realitet.
Ata gjetën një hapësirë të fshehur midis daljeve të emergjencës, dhe zhvendosën atje blloqe betoni, një divan, një tavolinë, qilima dhe një PlayStation.
Apartamenti i fshehur u bë një vend për takime artistike dhe qëndrime të herëpashershme. Pavarësisht rrezikut të ekspozimit, projekti zgjati katër vjet të plota, si një protestë e heshtur kundër ndryshimit të identitetit artistik të zonës – meqenëse qendra tregtare ishte ndërtuar mbi rrënojat e një ndërtese historike që ishte një vendtakim për artistët.
Pas katër vitesh, grupi filloi të dyshonte se stafi i qendrës tregtare i kishte kapur. Sende të ndryshme nga apartamenti, duke përfshirë albumet e fotove dhe konsolën Playstation, u zhdukën.
Si u identifikuan ata?
Grupi i artistëve besonte se rojet e sigurisë e kishin gjetur apartamentin dhe po e përdornin atë si vendqëndrim kur artistët nuk ishin aty. Ata vendosën ta vizitonin apartamentin vetëm pasi qendra tregtare u mbyll, në mënyrë që të mos kapeshin.
Një ditë, Townsend e theu rregullin sepse donte t’ia tregonte vendstrehimin një miku që po e vinte për vizitë nga jashtë qytetit. Gjatë vizitës së tyre, Sigurimi bastisi dhe arrestoi Townsendin dhe mikun e tij. Atij iu ndalua hyrja në qendrën tregtare për jetë dhe apartamenti u mbyll përgjithmonë.
Megjithatë, kohët e fundit gjërat duket se janë qetësuar dhe ai mund të kthehet në qendrën tregtare ku “jetoi” për 4 vite.
Top Channel